Përse dita e alfabetit s’është festë as në Shqipëri e as në Kosovë?
Maqedonasit, por edhe popujt e tjerë sllavë gjithandej shënojnë sot ditën e Shën Kirilit dhe Metodit të cilët njihen si iluministë sllavë, përpiluesit e alfabetit të parë të gjuhëve sllave. Festë është edhe në Bullgari. Në Beograd, nga ky vit është vendosur që 24 maji të jetë edhe atje festë shtetërore. Në kronikën në vazhdim, kolegu Seladin Xhezairi shtron pyetjen se përse në hapësirat shqiptare, edhe në Shqipëri e Kosovë, nuk rikujtohet kështu si ndër sllavët – si festë shtetërore, Dita e Alfabetit të shqipes.
Ditë më parë, Qeveria e Serbisë vendosi që 24 Maji të jetë festë shtetërore si Ditë e shënimit të alfabetit dhe kulturës sllave të themeluar nga iluministët sllavë Kirili e Metodi. Rikujtojmë se kjo datë është festë shtetërore edhe në Bullgarinë fqinje dhe edhe tek ne në Maqedoninë e Veriut. Me këtë rast, politikanët sikurse Presidenti Stevo Pendarovski, kanë rikujtuar se vëllezërit shën Kirili Dhe Metodi, për popujt sllavë trasuan rrugën e shkrim-leximit, të ngritjes shpirtërore, kurse vepra e tyre është themel i vetëdijes gjuhësore, kulturore e shpirtërore maqedonase, si popull i barabartë në familjen e popujve sllavë.
Fakti se sikurse e dëgjuat, edhe Serbia, për herë të parë e cakton 24 Majin si festë shtetërore, flet, mes tjerash, edhe për kultivimin e lidhjeve historike të sllavëve. Dhe, këtu s’ka asgjë të keqe. Në qarqe shqiptare në Shkup ndërkaq, rikujtohet se tashmë prej vitesh 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të gjuhës shqipe është festë shtetërore që, dorën në zemër, nuk mund të thuhet se po kjo datë, kur nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir u zhvillua Kongresi i unifikimit të një alfabeti të gjuhës shqipe, rikujtohet si festë shtetërore, edhe në Shqipëri, po edhe në Kosovë. Televizioni Klan mëson se nisma nga këtej ka mbërritur edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, por sipas lolgjikës, ‘hë sot, hë nesër’ deri më sot nuk është bërë asgjë, pa çka se rrahim gjoks, sot e kësaj dite se – kemi gjuhën që na bashkon!? /Seladin Xhezairi/