Në UT u organizua ‘Ditë e hapur’ me ç’rast maturantë nga vendi u njohën me ofertën akademike që ky universitet ofron. Poashtu, në kuadër të së njëjtës u organizua edhe Panairi i Biznesit dhe i Teknologjisë Ushqimore.
Universiteti i Tetovës organizoi ‘Ditën e Hapur’ me ç’rast qindra maturantë nga vendi patën mundësi që të njihen me ofertën akademike, risitë, programet studimore dhe bursat që ky universitet ofron. Këtë vit, krahas risive të tjera, UT do t’i kthejë sërish disperzimet në Shkup dhe Kumanovë.
‘Maturantët do të kenë mundësi të njihen me 50 programe studimore të cilat janë në kuadër të 13 fakulteteve të cilët ekzistojnë në kuadër të fakultetit tonë. Ne sërish do t’i hapim programet studimore të disperzuara në qytetin e Shkupit dhe Kumanovës, mendojmë t’i kthejmë sërish programet studimore të fakultetit juridik dhe ekonomik.’ -deklaroi Reshat Qaili-Prorektor për arsim.
Në kuadër të ‘Ditës së Hapur’ poashtu në UT u organizua edhe Panairi i Biznesit dhe Panairi i teknologjisë ushqimore.
‘Edhe këtë vit në Panairin e Biznesit janë të ftuara kompani të shumta të cilat operojnë në vendin tonë. Qëllimi i panairit është që të afirmohet bashkëpunimi jonë i ngushtë që UT, gjithmonë synon të krijojë me kompanitë, me qëllim që planprogramet tona të përshtaten me tregun e punës.’ -shprehet Vjollca Hasani-Limani, Përgjegjëse për bashkëpunim me bizneset.
‘Bashkë me ditët e hapura, në kuadër të panairit të biznesit organizohet edhe panairi i teknologjisë ushqimore ose produkteve ushqimore, i cili ka filluar të jetë edhe tradicional për arsye se është viti i tretë.’ – tha Xhezair Idrizi-Dekan i Fakultetit të teknologjisë ushqimore.
Ndërkaq, edhe studentët e Universitetit nga drejtime të ndryshme dhanë më tepër arsye se pse maturantët duhet të zgjedhin UT-në.
Rreth 4 mijë studentë pritet të pranohen këtë vit në Universitetin e Tetovës në ciklin e parë, ndërkaq në ciklin e dytë pritet të vijojnë rreth 1500 studentë. /Blerona Jakupi/