Ish-kryeministri Nikolla Gruevski i cili pas procedurave gjyqësore iku në Hungari, ku fitoi azil politik, dorëheqjen e paralajmëruar nga funksioni i deputetit e ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të mërkurën më 5 qershor. Pritet që të hënën kreu i Kuvendit Talat Xhaferi në koordinimin me shefat e grupeve parlamentare ta shqyrtojnë dorëheqjen e Gruevskit dhe të vendosin nëse do ta vënë apo jo në rend dite në seancën e radhës, të caktuar për të martën, ku edhe ekziston pika e rendit të ditës për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit.
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi ka konfirmuar se dorëheqja ka arritur në kuvend me akt noterial dhe me vulat adekuate përmes të cilave vërtetohet se bëhet fjalë për deklaratë personale të Nikolla Gruevskit.
“Dorëheqja ka arritur më 5 qershor. Është dërguar në përkthim nga gjuha hungareze dhe pasi të përkthehet do t’u dorëzohet edhe deputetëve”, ka deklaruar Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Nëse Xhaferi dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve të hënën vendosin ta pranojnë dorëheqjen e Gruevskit të dorëzuar përmes aktit noterial si deklaratë personale, e njëjta do të jetë në rend dite në seancën e 102 të Kuvendit, e caktuar për më 11 qershor. /Klan Maqedoni/