close

DUBAI: RONALDO FITOI ÇMIMIN GLOBE SOCCER AWARDS

Didier Deschamps u shpall trajneri më i mirë


Kristiano Ronaldo ishte figura qëndrore në mbrëmjen gala që u zhvillua në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai fitoi dy çmime speciale për 2018 atë të futbollistit më të mirë si dhe çmimin e golit më të bukur, pikërisht falë realizimit me roveshatë ndaj Juventusit kur mbante veshur fanellën e Realit të Madridit në çerekfinalet e Champions League. Në garë për të fituar çmimin e lojtarit më të mirë të vitit, ‘Dubai Globe Soccer Awards’, ylli portugez mposhti konkurrencën e dy francezëve, Griezmann dhe Mbappe.

Trajneri më i mirë i vitit ndërkohë u shpall, Didier Deschamps, tekniku që u shpall kampion bote me Francën në Rusi. Çmimi i portierit të vitit shkoi për gardianin brazilian të Liverpoolit, Allison Becker. Jorge Mendes i cili bëri të mundur transferimin e Ronaldos te Juventusi, fitoi çmimin e agjentit më të mirë të vitit, ndërsa Fabio Paratici mori çmimin e drejtorit sportiv më të mirë të vitit 2018.

Skuadra e vitit u shpall Atletico e Madridi, ndërsa me çmimin e karrierës u nderuan Fabio Capello, Ronaldo, Zvonimir Boban dhe mesfushori i kombëtares franceze Blaise Matuidi. Çmimin e arbitrit më të mirë e fitoi Abdulla Hassan, gjyqtari vendas nga Emiratet e Bashkuara Arabe. /Agjencitë/