Zaev e Mickoski me pozicione të njohura
Në Shkup, kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski, në një përballje në televizionin Kanal 5 praktikisht kanë konfirmuar hendekun e qëndrimeve të të dyja blloqeve politike lidhur me çështjet kryesore të vendit. Shefi opozitës ka përsëritur qëndrimin negativ ndaj Marrëveshjes së Prespës që zhbllokoi procesin e integrimit të vendit, ndërkohë që kryeministri ka ritheksuar se mbështet fuqimisht punën e Prokurorisë së Posaçme Publike për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mollë sherri ishin dallimet lidhur me fatin e Prokurorisë së Posaçme Publike që po merret me zbardhjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mazhoranca propozon që ky institucion të bëhet pjesë e Prokurorisë Publike, por me ingerenca dhe financa të caktuara, kurse opozita mbronë qëndrimin se ky dikaster nuk duhet të ketë buxhet të vetin.
‘Çështja është nëse do të bllokohet sërish vendi ynë dhe do të humbas fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian për llogari të mbrojtjes së kriminelëve!’
‘Ne këtë problem e shikojmë në mënyrë thelbore. Nuk e shikojmë si numër. Ajo që bëni ju është sipas parimit ‘merre ose lëre’. Ky parim është i pandershëm ndaj qytetarëve që dhanë votën e tyre për opozitën si dhe për ata që dhanë votën për pozitën’.
Karshi kësaj, Zaev tha se pavarësisht qëndrimit të VMRO-DPMNE-së është i bindur se ka për të siguruar shumicën e dy të tretave për miratimin e Propozim-ligjit për Prokurorinë Publike.
Një tjetër çështje ishte nëse opozita e sotme VMRO-DPMNE nesër vjen në pushtet a ka për ta njohur Marrëveshjen e Prespës që zhbllokoi procesin e integrimit euro-atlantik të vendit, tash me emër të ri – Republika e Maqedonisë së Veriut. Lideri i VMRO-së, Mickoski me përgjigje jo gjithaq të prerë:
‘Do të punojmë që të korrigjojmë gjithë pasojën që është rezultat i kësaj marrëveshjeje dhe këtë kurrë, kurrë nuk do të rreshtim ta bëjmë.’
Fituam gjithçka që deshën paraardhësit tanë, baballarët e gjyshërit! Dhe kjo është arritja. Këta nuk guxojnë të pranonojnë, të bëjnë hapin përpara e të ndërtojnë qëndrim, për shkak se nuk thotë nëse ka për ta anuluar ose jo Marrëveshjen’
Sipas analistëve, megjithëse i shitur si ‘duel i dhjetëvjeçarit’, përballja dyorëshe e kryeministrit Zaev dhe shefit të opozitës maqedonase Mickoski, veç vullentit të ballafaqimit, nuk solli ndonjë cilësi e as sinjal për uljen e tensioneve dhe të retorikës tashmë të njohur të cilën shumëkush e vë në funksion të fushatës parazgjedhore për Presidencialet e 21 prillit. /Seladin Xhezairi/