close

DY KORET BASHKOHEN PËR OLIMPIADËN

Pretendojnë kandidaturën e LOV 2032


Sporti mbetet elementi më i vlefshëm për uljen e tensioneve mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut. Dy vendet fqinje kanë bërë të ditur se synojnë që në Lojërat Olimpike të Tokios në vitin 2020 të paraqiten me ekipe të përbashkëta në disa sporte.

Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach këtë e ka konfirmuar pas një takimi të zhvilluar me zyrtarë të të dy vendeve ditën e premte në Lozanë. Në Lojërat dimërore të vitit 2018 në Korenë e Jugut, sportistët e këtyre dy vendeve sfiluan në ceremoninë e hapjes të bashkuar nën të njëjtin flamur, ndërkohë që morën pjesë në turneun e hokejit në akull për femra me skuadër të përbashkët.

Por jo vetëm kaq, zyrtarët e Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut kanë konfirmuar edhe interesin e këtyre vendeve për kandidaturë të përbashkët për organizimin e Lojërave Olimpike të vitit 2032. Koreja e Jugut ka përcaktuar Seulin si qytetin pritës të Lojës Olimpike Verore 2032, ndërkohë që Koreja e Veriut pritet ta bëjë këtë javën e ardhshme edhe pse ka probleme rreth kësaj kandidature. Mbi Korenë e Veriut janë vendosur sanksione të cilat Këshilli i sigurisë i OKB nuk do t’i heqë nëse Pheniani nuk bën një hap tjetër përpara drejt denuklearizimit. /Agjencitë/