close

DY PUNËTORË E HUMBËN JETËN KËTË FUNDJAVË

Inspektoriati i punës nuk ka verifikuar shkelje të obligimeve ligjore të punëdhënësit dhe pronarit të minierës “Toranica”, ku dje gjatë fatkeqësisë në punë e ka humbur jetën një minator, ndërsa dy të tjerë janë lënduar. Vazhdojnë hetimet edhe për rastin e dytë tragjik në Strugë, ku një punëtor ndërtimi ka rënë nga çatia, pronë e një firme private.

Drejtori i Inspektoriatit të Punës Alajdin Havziu pasditen e sotme njoftoi se ekspertiza në minierën Toranica, në afërsi të Kriva Pallankës, është kryer deri natën vonë, ndërsa sipas gjetjeve nga inspektori kujdestar nuk janë verifikuar shkelje të obligimeve ligjore të punëdhënësit, kompania bullgare “Bullmak – Minstroj”.

“Sipas ligjit për marrëdhënie pune dhe siguri e shëndet gjatë punës, sipas të dhënave të para ata i kanë marrë të gjitha masat. Kontrollet shëndetësore, elaborate për vendet e punës dhe mjetet e punës. Siç ka ndodhur, me shumë gjasë është nga dinamiti, siç supozohet, është ndezur më herët ose jo. Por nuk e di, nuk mund të deklaroj asgjë në lidhje me këtë. Këtë duhet ta konfirmojnë hetimet e MPB-së dhe Prokurori Publik.” – tha Alajdin Havziu, Inspektorati i Punës.

Ministria e Punëve të Brendshme sot njoftoi se edhe një punëtor e ka humbur jetën në vendin e punës – kantier ndërtimi në Strugë. Dje rreth orës 14:50 minuta është paraqitur se punëtori V.S i moshës 48-vjeçare ka rënë nga objekti, pronë e një firme private, në zonën industriale të rrugës magjistrale Strugë – Qafëthanë, nga lartësia rreth 8.5 metra, pas çka ka vdekur. Ekspertizë në vendin e ngjarjes ka bërë një ekip nga Struga, ndërsa me urdhër të Prokurorit Publik trupi është dorëzuar për obduksion. Inspektoriati i punës tani për tani nuk ka detaje në çfarë kushtesh është punuar në kantier. /Biljana Georgievska/