close

DY VITE QEVERI : ZAEV I KËNAQUR NGA KTHESA E BËRË

Zaev: Qytetarët presin Evropa ta mbajë premtimin


Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev sot llogarit mesataren e arritjeve në dy vitet e para të mandatit, kryesisht me vlerësime se “nga një shtet i robëruar, arriti në një shoqëri stabile dhe të respektuar”. Përpara akademikëve, aktivistëve dhe analistëve, disa ministra shfaqën atë që kanë arritur, duke përshkruar rrugën e vendit drejt anëtarësimit në NATO dhe lëvdatat nga Bashkimi Evropian. Por analistët thonë se ligjet e reformave në letër nuk janë të mjaftueshme për qytetarët, më e rëndësishme është faza që vjen, zbatimi i reformave.

Sallë e mbushur me funksionarë qeveritarë, këshilltarë, deputetë, kryetarë komunash, aktivistë të organizatave qytetare, dhe ndonjë përfaqësues i bashkësive fetare… Të gjithë të mbledhur, në ftesë të qeverisë, të shënojnë dyvjetorin ose gjysmën e mandatit nga kabineti i kryeministrit Zoran Zaev, i cili erdhi në pushtet pas turbulencave në pranverën e vitit 2017, hyrja e dhunshme në Kuvend, mosdhënia e mandatit për formimin e qeverisë nga ish-presidenti i shtetit, rezistencë dhe kërcënime nga qeveria e atëhershme. Vendi ishte në prag të shkatërrimit, vlerësoi Zaev, i kënaqur nga kthesa e bërë, në plan të brendshëm dhe ndërkombëtar:

“Do të shërbehem me dialektin e Strumicës për të thënë se në politikë nuk ekziston “shikoje rehatinë tënde”… Ndërmorëm aksion, u betuam – është koha t’i japim botës një Ballkan më ndryshe. Ballkan i vendeve të cilat i kanë lënë pas paragjykimet dhe kontestet historike, dhe të cilët janë kthyer drejt mirëqenies së qytetarëve të vet.”-deklaron Kryeministri Zoran Zaev.

Pas arritjeve të numëruara, në planin vendas dhe ndërkombëtar, kryeministri e porositi Brukselin, duke theksuar: “Evropianët nga Maqedonia e Veriut presin një hap të qartë nga Bashkimi Evropian”, duke sugjeruar në datën e pritur për fillim të negociatave për anëtarësim. Por në procesin e eurointegrimit të vendit, është më e sigurtë se përshëndetja për mirëseardhje shumë më shpejt do të arrijë nga NATO-ja:

“Për përafërsisht dy javë një nga kapacitetet ushtarake më të sofistikuara të mbrojtjes të NATO-s, avioni ushtarak supersonik  B52 do të fluturojë mbi vendin tonë, duke përshëndetur anëtaren më të re. Të jemi të sinqertë, para dy vitesh kjo do të ishte më shumë se iluzion.”- shprehet Radmila Sheqerinska, Ministre e Mbrojtjes

Zëvëndëskryeministri Bujar Osmani arritjet e qeverisë u përpoq t’i ilustrojë me pozitën e Maqedonisë vis-a-vis me fqinjët, në raport me reformat demokratike dhe ekonomike:

“Këtë krahasim shikojeni nga këndvështrimi pozitiv, kjo nuk është luftë në kuptim negativ. Kjo qasje drejt Bashkimit Evropian i motivoi vendet tona të arrijnë në këtë nivel. D.m.th nota është 3.5 për reformat ekonomike. Që d.m.th se kushtet për zhvillim të biznesit dhe ekonomisë në vend janë pozitive.”-vlerëson Bujar Osmani, Zëvëndëskryeministër për Çështje Evropiane.

Por përveç vlerësimeve pozitive për reformat e arritura dhe vlerave demokratike në Maqedoni, Bashkimi Evropian në raportin e fundit për perparimin e vendit i numëron edhe detyrat e paplotësuara, më së shumti në fushën e sundimit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe ndryshimin ose evropeizimin e vetëdijes të administratës shtetërore. Pikërisht në këtë fushë nga Qeveria pritet angazhim më i madh. /Biljana Georgievska/