Është kërkesa e shoqatës së klubeve europiane
Sipas të përditshmes franceze “L’Equipe”, Liga e Kampionëve, që është turneu më prestigjioz për klube në Evropë, duke nisur nga viti 2024 do të ndryshojë format, sipas propozimit të Shoqatës së Klubeve Europiane (ECA) të drejtuar nga presidenti Andrea Agnelli.
Agnelli, njëkohësisht drejtues i Juventusit, e ka shprehur edhe para pak ditësh dëshirën që të mund të luhen më shumë ndeshje ndërkombëtare. Formula e re i plotëson kështu dëshirën, pasi do të mund të zhvillohen plot 14 ndeshje vetëm në fazën e grupeve.
Sipas këtij formati, 32 skuadrat pjesëmarrëse do të ndaheshin në 4 grupe me nga 8 skuadra secila. Më pas, me të përfunduar faza e parë, 4 të parat që kualifikohen nga çdo grup, përveçse sigurojnë kalimin në fazën e 1/8-ave të atij sezoni, sigurojnë kualifikimin automatik edhe në Championsin e edicionit të radhës.
Me gjasë nuk do të ketë më kalim nga Champions për në Europa League, mes skuadrave të eliminuara që do të kenë fate të ndryshme: vendet e pesta do të kualifikoheshin për në fazën e grupeve të Championsit pasardhës, ndërsa ekipet e vendeve 6-7 do të sfidoheshin në “play out” për 4 vendet e tjera të mbetura për edicionin pasardhës të Championsit. Skuadrat e eliminuara këtu do të mund të marrin pjesë në Europa League.
Ekipet që renditen të fundit në grup, pra vendet e teta, do të kualifikoheshin për në turet parakualifikuese të Europa League për edicionin e ri. Në këtë mënyrë, 24 nga 32 skuadrat pjesëmarrëse, edhe pse mund të mos e sigurojnë kualifikimin në fushë në kampionatet e tyre respektive, mund të sigurojnë pjesëmarrjen në edicionin e ri të Championsit përmes kësaj formule.
Shpresa ka edhe për të tjerët, pasi do të mbeteshin 8 vende të lira për gjysmëfinalistët e Europa League dhe 4 skuadrave kampione në vendet e tyre, që nuk kanë mundur të kualifikohen nga edicioni i kaluar. /Agjencitë/