Begoviq: Afera nuk është përcaktuese për në NATO
Ekspertët e Sigurisë nga rajoni e bota duke komentuar zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut, me theks të veçantë për aferën “Zhvatja” thonë se kjo mund të jetë treguese nëse Maqedonia e Veriut është e gatshme të përballet me të gjitha ato sfida dhe kërkesa që priten prej saj, që negociatat të hapen në mënyrë të suksesshme.
Aferat e fundit korruptive në Maqedoninë e Veriut nuk do të ndikojnë në pranimin e vendit në NATO, sepse ky proces është punë e kryer, as në hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Këtë për seksionin maqedonas të Zërit të Amerikës e deklarojnë ekspertë të sigurisë. Ata mendojnë se zgjidhja e këtyre çështjeve mund ta tregojë edhe gatishmërinë e vendit për aspiratat dhe sfidat e saj evropiane.
“Kjo mund të jetë një treguese nëse Maqedonia e Veriut është e gatshme të përballet me të gjitha sfidat dhe kërkesat që priten prej saj që negociatat të hapen në mënyrë të suksesshme. Nga ana tjetër ky nuk është problem vetëm i Maqedonisë së Veriut. Ky është problem i vendeve të rajonit të cilat përballen me shkallë shumë të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thotë Mehmedin Tahiroviq, profesor i sigurisë rajonale nga Mali i Zi.
Edhe kryetarja e Këshillit Atlantik Kroat, thekson se vendi ka bërë shumë në pjesën e ndryshimit të emrit të saj dhe për këtë arsye mendon se rasti i fundit, që lidhet me aferën “Zhvatja”, nuk do të pasqyrohet në këtë çështje.
“Në çdo vend, edhe në vendet që janë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe në BE ekzistojnë afera të ndryshme. Ky është proces i gjallë që ndodh në çdo vend. Maqedonia e Veriut ka plotësuar shumë kushte gjatë këtij procesi, por edhe para zgjidhjes së mosmarrëveshjes së emrit dhe Marrëveshjes së Prespës. Kështu që mendoj se kjo aferë nuk do të ndikojë drejpërdrejt në vetë ftesën për anëtarësim në NATO, që besoj se do të ndodhë gjatë samitit të NATO-s në dhjetor”, thekson Monika Begoviq, kryetarja e Këshillit Atlantik të Kroacisë.
Por, nga Qendra Evropiane Marshal i theksojnë sfidat me të cilat përballet vendi në rrugën evropiane.
“Një pjesë e sfidave të Evropës, që manifestohen edhe në Maqedoni, ndërsa kur flas për udhëheqjen e shtetit janë aferat të lidhura me PSP-në, liria e mediave, sundimi i së drejtës. Në lidhje me NATO-n, mendoj se nuk do të ketë problem sepse Aleanca i ka marrë vednimet e saj, ndërsa vendet anëtare e kalojnë procesin e miratimit. Në lidhje me BE-në, ndoshta ky proces do të zgjasë pak më shumë, por mendoj se ka shanse të fillojë në tetor”, thekson Metju Rouds nga Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë – Qendra Marshal.
I ngjajshëm është edhe qëndrimi nga Qendra Marshal në Shkup.
“Përpiqemi t’i shfrytëzojmë praktikat dhe përvojat më të mira nga vendet fqinje, si Mali i Zi. Gjithçka që kanë bërë ata, ne duhet të përpiqemi ta shfrytëzojmë atë përvojë dhe ta zbatojmë, të jemi në rrugën e drejtë për anëtarësim në NATO dhe në BE”, thekson Biljana Popovska, kryetare e Qendrës Marshal – Maqedoni.
Në konferencën ndërkombëtare, e cila në organizim të Qendrës Marshal dhe njësisë për diplomaci publike në NATO së voni u mbajt në Ohër, u theksua edhe se sundimi i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë kushtet më të rëndësishme për hyrje në NATO dhe në BE dhe se duhet të vazhdohet me përpjekjet që të mbyllen plotësisht të gjitha hetimet e hapura. / VOA/