Takim me kryeparlamentarin Xhaferi dhe kryeministrin Zaev
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi ka pritur në kabinetin e tij Kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-ve, Eliot Engel. Kongresisti amerikan është pritur edhe nga Kryeministri Zoran Zaev.
Shërbimi i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut njofton se Kryeparlamentari Xhaferi ka falënderuar Kongresistin amerikan Engel për letrën që ai dhe kolegu i tij Majkëll Mekoll ia kanë dërguar Sekretarit Shtetëror të SHBA-së Majk Pompeo për të përkrahur Shkupin në procesin e euro integrimeve.
Nga ana e tij, Kongresisti Engel ka potencuar rolin e trupave ligjvënës në zhvillimin e vendeve demokratike duke përsëritur përkrahjen e fuqishme të SHBA-ve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO duke uruar autoritetet e vendit për inkurajimin gjatë marrjes së vendimeve në drejtim të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura ndërfqinjësore.
Delegacioni i lartë amerikan është pritur edhe nga Kryeministri Zoran Zaev ku është vlerësuar lartë rëndësia e stabilitetit rajonal, zhvillimet dhe sigurisë, e ku është konstatuar se SHBA-të janë një partner i rëndësishëm i gjithë rajonit. /Klan Macedoni/