close

EPIDEMI E FRUTHIT NË TËRË VENDIN

Ndalesë për fëmijët e pavaksinuar nëpër çerdhe


Për vetëm katër muaj numri i të sëmurëve nga fruthi u rrit pothuajse në 1000, për çka institucionet shëndetësore sot shpallën epidemi në tërë vendin. Prej sot asnjë çerdhe në vend nuk do të pranojë fëmijë të pavaksinuar, ndërsa me dy doza të obligueshme duhet të imunizohen të gjithë punëtorët shëndetësorë, studentët e mjekësisë dhe nxënësit e shkollave të mesme të mjekësisë.

Epidemia e fruthit, e cila filloi në një nga lagjet e Shkupit u përhap në tërë Maqedoninë. Ndalesa për fëmijët e pavaksinuar nga sot vlen në të gjitha çerdhet, shtetërore dhe private në vend, ndërsa kufiri i moshës për vaksinim u ulë nga 12 muaj në 6 muaj, për të rriturit u rrit nga 14 deri në 60 vjet. Punëtorët shëndetësorë, por edhe ata që rregullisht hynë nëpër spitale, si studentët dhe nxënësit e shkollave të mësme të mjekësisë, do të duhet të imunizohen plotësisht me dy doza kundër sëmundjes së fruthit.

“Shpallja e epidemisë u bë me qëllim që të merren masa shtesë që të parandalohet përhapja e mëtutjeshme, të zvogëlohet numri i infeksioneve të reja dhe të parandalohen format e rënda të kësaj sëmundje” -tha dr. Vladimir Mikiq.

Numri i të infektuarve javën e kaluar, më i madh se numri mesatar i të sëmurëve në muajt e kaluar, i shqetësoi punëtorët shëndetësorë, për çka tani janë të ndaluara vizitat nëpër spitale, që të mund të izolohen pacientët me imunitet të dobët.

“Për momentin kemi mbi 70 fëmijë të hospitalizuar, prej të cilëve 55 janë në Klinikën e sëmundjeve infektive, 15 në Kliniken e Pediatrisë, ndërsa prej tyre 7 janë në gjendje më të rëndë.”-deklaroi dr. Vladimir Mikiq.

Sipas të dhënave më të reja nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, numri i të infektuarve në tre muajt e parë të 2019-ës është tri herë më i madh në krahasim me vitet e kaluara. Në SHBA në këtë periudhë ka pasur rreth 550 raste, që është numri i dytë më i madh nga viti 2000, kur sëmundja u çrrënjos plotësisht.

Gjendja më kritike është në Afrikë me rritje të numrit të infeksioneve deri në 700 %, dhe 800 të vdekur vetëm në Madagaskar. Ekspertët thonë arsyet kryesore për përhapjen e infeksionit janë varfëria dhe dezinformatat se vaksina kundër fruthit është e dëmshme dhe shkakton autizëm. Njerëzit që janë kundër vaksinimit janë një nga kërcenimet më të mëdha për shëndetin global në vitin 2019, vlerëson Organizata Botërore e Shëndetësisë. /Biljana Georgievska/