Feronikeli është mundur me rezultatin 2-1 në transfertën e zhvilluar ndaj Slovan Bratislava, ndeshje e vlefshme për takimin e parë të turit të dytë kualifikues të Europa League. Megjithatë humbja minimale në stadiumin “Tehelne pole” të Bratisllavës i jep gjasa të mëdha për të kërkuar kualifikimin për në rrethin e tretë të Europa Ligë në futboll që do të zhvillohet pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në sfidën mes Slovan Bratislavës dhe Feronikelit, përtej luftës sportive në fushën e blertë, pati edhe episode të pakëndshme nga tribunat. Tifozët e skuadrës sllovake mbajtën një qëndrim aspak korrekt, duke hedhur parulla dhe slogane me sfond politik kundër Kosovës dhe UEFA-s. Me këtë rast, Federata e Futbollit të Kosovës ka mbajtur një qëndrim zyrtar, duke u kërkuar institucioneve më të larta të futbollit, FIFA dhe UEFA që të marrin masat e duhura. /Agjencitë/