close

FAMILJA BYTYÇI I SHKRUAN VUÇIQIT DHE THAÇIT

Kundërshtohet lirimi i të dënuarit të hagës Gjorgjeviq


Familja e tre vëllezërve Bytyçi, të cilët janë gjetur të vrarë në Serbi në vitin 1999, kërkoi të hënën nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të parandalojnë lirimin e parakohshëm të ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviq. Ai është dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për shkak të rolit të tij në transferimin e trupave të shqiptarëve, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Në letrën dërguar Vuçiqit, familja Bytyçi thotë se “për më shumë se pesë vjet, ai i premton asaj dhe SHBA-së se rasti do të zgjidhet shpejt” dhe se “në javët apo muajt e ardhshëm Vuçiq e ka një mundësi unike për të treguar vendosmërinë e tij”.

Në letër po ashtu i bëhet thirrje Vuçiqit që të kundërshtojë hapur lirimin e parakohshëm të Gjorgjeviqit dhe theksohet se ky i fundit “ka informacione të rëndësishme që mund të ndihmojnë gjetjen e varrezave të tjera masive”. Ai është në mesin e të dyshuarve edhe në rastin e vrasjes së vëllezërve Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi dhe më 17 qershor fiton të drejtën për lirim të parakohshëm.

Letra me të njëjtën thirrje iu dërgua edhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Vëllezërit Bytyçi u vranë në vitin 1999, pasi paraprakisht ishin arrestuar nga autoritet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së jashtëligjshme në Serbi. Trupat e pajetë të tyre u gjetun në qershor të vitit 2001 në një varrezë masive në Serbi. Vëllezërit Bytyçi ishin shtetas amerikanë dhe Uashingtoni zyrtar  për ta  ka kërkuar në vazhdimësi drejtësi. /Agjencitë/