Nuk është arritur përparim rreth Ligjit për Prokurorinë Publike as edhe në takimin e sotëm në Ministrinë e Drejtësisë mes Grupeve të Punës së Qeverisë dhe të VMRO-DPMNE-së opozitare. Çështja kyçe për të cilën është biseduar, siç tha pas takimit ministrja, Renata Deskoska, është neni 105, gjegjësisht rreth vazhdimit të procedurave dhe shfrytëzimit të dëshmive të cilat janë grumbulluar deri më tani.
Dy versione të ndryshme për më pak se 10 minuta nga dy përfaqësues të pushtetit dhe opozitës të cilët ishin në të njëjtin takim.
“E shohim se pushteti ka vullnet për zgjidhje të ndryshme kadrovike, përveç Katica Janevës.” -tha Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO DPMNE-së
“Milloshoski ceku se keni treguar sinjale për ndryshimin e Katica Janevës, gjegjësisht që nuk po insistoni në një zgjidhje të caktuar për Prokurorinë Speciale… Ne nuk kemi biseduar aspak as për emra konkret, e as për zgjidhje kadrovike.”- tha Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë
Edhe sot, Milloshoski dhe Deskoska, e thanë atë që është e zakonshme të thuhet pas këtyre takimeve, se përparim nuk ka.
“Realisht nuk pati asnjë avancim. Çështja kryesore për të cilën folën është neni 105… VMRO DPMNE mbeti në qëndrimin që procedurat që janë hapur pas 18 muajve të ndalohen, e ajo do të thotë që të gjitha provat që janë siguruar të bien në ujë, të jenë papërdorshëm. Të gjitha masat që janë marrë të suspendohen, e ajo do të thotë që prona për shembull e VMRO DPMNE-së nëse është e bllokuar duhet të debllokohet, të suspendohen të gjitha masat ndaj të akuzuarve si pasaporta atë marra, burg shtëpiak dhe tani paraqitet problemi se a do të mund që prokuroria sërish t’i hap këto raste.” –shprehet Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.
Për VMRO DPMNE-në jo që është e papranueshme që të merren parasysh lëndët të hapura pas afatit 18 mujor, ata madje kërkojnë sanksionim për Katica Janevën për mosrespektimin e ligjit për Prokurorinë Speciale.
“Ata nuk janë të disponueshëm që të kërkojnë përgjegjësisë Katica Janevën për inicimin e procedurave si prokuror i paautorizuar në përputhje me ligjin me të cilin punon PPS-ja. Ne mendojmë se të gjithë prokurorët, edhe ata të Prokurorisë Speciale, duhet të marrin përgjegjësi nëse kanë ndërmarr hapa që janë jashtë autorizimeve të parapara me ligj.” –vlerëson Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO DPMNE-së.
VMRO DPMNE nuk ka ndërmend të pajtohet me një ligj që do të nënkuptonte amnisti për Prokurorët e PPS-së, shtoi Milloshoski. Pushteti pranon që ligji të dërgohet në shqyrtim në Komisionin e Venecias, por kërkojnë që fillimisht të votohet për shkak afateve të caktuara kur duhet të mbyllet raporti i Komisionit Evropian, e rekomandimet e Komisionit të inkorporohen më vonë. Edhe sa kanë kohë pushteti edhe opozita të bisedojnë varet nga data kur duhet të mbyllet raporti, e datën pritet që ta kumtoj sot zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, i cili po qëndron në Bruksel. /Furkan Saliu/