close

FATI I PSP-së: TË PREMTEN TAKIMI I GRUPEVE TË PUNËS

Grupet e punës së qeverisë dhe opozitës të premten duhet sërish të takohen në një përpjekje të re që të arrihet pajtimi rreth propozim-ligjit për Prokurorinë Publike me të cilin zgjidhet statusi i PSP-së. Në takimin e parë të hënën nuk u arrit marrëveshje, por të dy palët u dakorduan që edhe një herë t`i shqyrtojnë argumentet e ofruara dhe nëse eventualisht ka lëvizje të caktuara, sërish të takohen të premten.

Për qeverinë është e papranueshme kërkesa që PSP-ja të jetë pjesë e Prokurorisë për krim të organizuar, e as ndërprerja e hetimeve dhe akuzave. Përkrahin zgjidhjen që PSP-ja të vazhdojë si prokurori, e jo si department në Prokurori tjetër. Nga ana tjetër, për opozitën është e papranueshme që PSP-ja të mos përgjigjet para askujt dhe vetëm të krijojë buxhet, i cili nuk do të kontrollohet nga jashtë. Dallimi tjetër kyç është edhe fati i hetimeve që janë në vazhdë e sipër nga ana e PSP-së, procedurat parahetimore dhe akuzat që janë ngritur pas 18 muajve nga dorëzimi i materialeve. VMRO-DPMNE deri nesër duhet t’i dorëzojë propozimet lidhur me Ligjin për PSP-në. Siç ka konfirmuar sot zëdhënësi i qeverisë Mile Boshnjakovski, ekzistojnë dallime serioze mes qeverisë dhe VMRO-DPMNE-së.

“Po, ekzistojnë dallime serioze mes VMRO-DPMNE-së dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Definitivisht për ne si Qeveri, propozim-ligji është zgjidhja më e mirë dhe vlerësojmë se duhet të implementohet sa më shpejtë.” –shprehet Mile Boshnjakovski-Zëdhënës i Qeverisë.

Kreyminsitri Zoran Zaev në një intervistë për Agjencinë e lajmeve MIA deklaroi se janë të gatshëm të bisedojnë për çdo çështje me opozitën, por kjo të mos jetë në dëm të vendit dhe institucioneve të sistemit. I pyetur nëse është i gatshëm të pranojë ndërrimin e Katica Janevës, Kryeministri e ka hedhur poshtë këtë ide.

“Unë jam i bindur se nuk guxojmë të dërgojmë mesazhe të këqia tek ata që mbijetuan në kohëra të vështira, duke besuar në shtetin, sistemin, në kushtetutën dhe ligjet. Duhet t`i përkrahim kapacitet e tyre. Unë i dëgjoj kritikat nga opozita. Jo se nuk kam mirëkuptim, por përparësitë e një institucioni të këtillë, me këta njerëz janë edhe një përparësi e madhe për Maqedoninë e Veriut.” -deklaroi Zoran Zaev-Kryeministër.

Shumica parlamentare pret që ligji për Prokurori Publike të miratohet deri në fund të marsit, respektivisht para fillimit të fushatës parazgjedhore. Kjo është njëra nga kushtet për hapjen e negociatave me BE-në në fillimin e qershorit. /Klan Maqedoni/