“Ky është gomari Marko, çdo gomar është Marko, ose 80 % e tyre. Mund ta shihni se është shumë i shoqërueshëm, dëshiron të shoqërohet, të përkëdhelet”.
Për Markon dhe dhjetë gomarë të tjerë është ndërtuar ferma e parë për gomarë në vend, e cila gjendet në fshatin e Ohrit Velestovë. Pronari Robert Shinikoski për Zërin e Amerikës sqaron se idenë e tij e ka realizuar pa mos u menduar shumë dhe pa u përgatitur dhe qe dy vite është pjesë e këtij tregimi. Ferma ka filluar të punojë me gjashtë gomarë, për momentin presin të shtohet numri i tyre, ndërsa qëllimi i tij është që të arrijë numrin 40 deri në 50 gomarë.
“Ideja fillestare për hapjen e fermës ishte që të ruhet gomari si specie në Maqedoni, sepse është në zhdukje, ky ka qenë qëllimi kryesor i hapjes së fermës, më vonë në biseda dhe kontakte me njerëzit, me marrjen e informacioneve erdhëm deri te ideja se prej gomarëve mund të fitohet në qoftë se kujdesemi si duhet dhe nëse kemi numër të mjaftueshëm.” -tha Robert Shinikoski, Pronar i Fermës së gomarëve.
Në qoftë se më parë gomarët në rajonin e Ohrit janë përdorur ekskluzivisht si atraksion turistik, për transportin e turistëve të huaj, sot prej tyre mund të jetohet mirë. Një litër qumësht gomarice në treg arrin çmimin prej 20 deri në 50 euro, ndërsa një kilogram djath ka çmim prej 1000 eurosh. Profesori në Fakultetin e Bujqësisë në Shkup, Gjoko Buneski, thotë se qumështi i gomaricës mund të përdoret për shërimin e problemeve të ndryshme shëndetësore, por edhe për fëmijët me autizëm dhe me nevoja të veçanta. Prej tij bëhen edhe produktet më të kërkuara kozmetike.
“Qumështi i gomaricës nga përbërja kimike është shumë i ngjajshëm me qumështin e gruas, për këtë arsye është zëvëndësuesi më i mirë i qumështit të gruas. Ka prej 50 deri në 60 herë më shumë vitamin C, përdoret edhe si afrodiziak edhe te burrat edhe te gratë.” –deklaroi Gjoko Buneski, Profesor në Fakultetinj e Bujqësisë, Shkup.
Planet e Robertit janë që në vjeshtë t’i marrin sasitë e para të qumështit të gomaricës, për të cilat ka interes për t’i blerë.
“Kur të shtojmë numrin e gomarëve, kur të rrisim sasinë e qumështit, do të mund të mendojmë edhe për prodhimin e djathit.” – shprehet Robert Shinikoski, promar i fermës së gomarëve.
Shinikoski thotë se gomarët nuk janë kafshë shumë aktive, por janë të nevojshme të paktën katër orë në ditë kujdes për ata. Planet e tij nuk ndalen këtu, ajo që mungon për momentin është ndihma nga ana e shtetit në formë të subvencioneve. /Zërin e Amerikës/