close

FIFA: MESI, RONALDO DHE VAN DIJK KANDIDAT PËR LOJTAR TË VITIT

Federata botërore e futbollit FIFA, ka shpallur listën e tre futbollistëve të nominuar Lojtar më të Mirë. Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Virgil van Dijk janë nominuar në listën e ngushtë prej tre futbollistëve për çmimin Lojtari më i Mirë i FIFA-s.

Kjo treshe ishte nominuar edhe për Lojtarin e Vitit të UEFA-s, të cilin e fitoi Van Dijk javën e kaluar, duke u bërë mbrojtësi i parë që e fiton këtë çmim.

Pep Guardiola është i nominuar për Trajnerin më të Mirë të FIFA-s pasi e udhëhoqi Manchester City drejt tripletës vendore në Angli sezonin e kaluar.

Në mesin e të nominuarve është edhe Jurgen Klopp pasi me Liverpoolin e tij e fitoi Ligën e Kampionëve.

Mauricio Pochettino, Tottenhami i të cilit u mund në finale të Ligës së Kampionëve nga Liverpooli, e kompleton treshen e të nominuarve.

Messi është në garë edhe për një çmim tjetër, pasi goli i tij kundër Real Betisit në mars është i nominuar për Çmimin Puskas për golin më të mirë të sezonit të kaluar. /Agjencitë/