close

FILLOI RIKONSTRUKTIMI I RRUGËS TETOVË – KODËR E DIELLIT

Rruga Tetovë –Kodra e Diellit, që nga koha e ish-Jugosllavisë nuk ka parë një rikonstruktim total. Vende-vende ku kishte erozion të tokës ishte riparuar, por paraqiste rrezik si për banorët e fshatrave përreth, ashtu edhe për turistët që vizitonin qendrën turistike. Së fundi kanë filluar punimet për rikonstruktim total të kësaj rrugë në gjatësi 12.2 kilometra.

Pas më shumë se 4 dekadash më në fund rruga Tetovë Kodra e Diellit po rikonstruktohet. Siç u tha gjatë inspektimit të punimeve, fillimisht do të mbushen gropat e hapura nëpër rrugë, e më pas do të asfaltohet në tërësi.

“Është bukur të ndërtohen rrugë të reja, por çfarë të bëjmë me rrugët 40-50 vjeçare që janë harruar nga të gjithë. Kjo është njëra nga rrugët bazë, që vitin e kaluar e vendosëm për projektim dhe rehabilitim, sepse dëshirojmë të zhvillojmë turizmin, dëshirojmë të jenë të vizituara vendet turistike. Ishte paraparë që punimet e kësaj rrugës të përfundojnë para Vitit të ri, unë ju garantoj që do të përfundojë në fund të shtatorit.” –tha Zoran Kitanov- Drejtor i NP “Rrugët e Maqedonisë’.

Ndërtimi i projekteve kapitale është prioritet i qeverisë sonë, tha Minsitri i Transportit dhe Lidhjeve, dhe se për momentin po punohet në të gjitha fushat e projekteve kapitale edhe në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe strukturës së gazifikimit.

“Sot jemi këtu për të inspektuar rikonstruktimin e rrugës Tetovë- Kodra e Diellit, është aks rrugor jashtëzakonisht i rëndësishëm , benefitet do t’i fitojnë edhe banorët e Tetovës, por gjithë ata qytetarë që do ta vizitojnë Kodrën e Diellit. Kjo rrugë do të jetë zhvllim shtesë i turizmit.” –shprehet Goran Sugarevski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

I pranishëm në inspektimine punimeve ishte edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Pas përfundimit të kësaj rruge magjistrale, kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi njoftoi se nga kjo komunë pritet që me fonde të IPA-s, të rikonstruktohet edhe rruga në brendësi të uikend shtëpizave në Kodrën e Diellit. Së këndejmi rruga Tetovë Kodra e Diellit do të rregullohet në një gjatësi prej 12.2 kilometrash, gjërësi 6 metër, investim ky që kap vlerën 2.3 milionë euro. /Lulzime Ameti/