close

FILLON AFATI I PARË I REGJISTRIMIT NË SHKOLLAT E MESME

Në shkollat e mesme sot dhe nesër, fillon afati i parë i regjistrimit në vitin e parë të arsimit të mesëm për vitin shkollor 2019/2020 në afatin e qershorit. Rezultatet e regjistrimit do të shpallen më 19 qershor. Paraqitja e dytë për regjistrimin e nxënësve do të mbahet më 24 dhe 25 qershor, ndërsa i treti më 1 korrik.

Sot dhe nesër në shkollat e mesme të vendit zhvillohet afati i parë i regjistrimit të nxënësve në arsimin e mesëm. Në komunën e Tetovës ky proces po rrjedh normalisht, deklaron Ahmed Qazimi, nga sektori për arsim. Sipas Qazimit, këtë vit do të ketë 3 paraqitje në afatin e qershorit dhe korrikut dhe kjo është bërë, siç thekson ai, që të përfundojnë të gjitha regjistrimet në këto afate, ndërkaq, në gusht do të regjistrohen vetëm ato nxënës që nuk kanë mundur ta kryejnë shkollën fillore. Edhe këtë vit, interes të lartë ka për drejtimet profesionale.

Në shkollën profesionale teknike komunale ‘Mosha Pijade’, sipas drejtoreshës Afërdita Dauti-Hamiti ka profile të reja në veterinë dhe në bujqësi. Sipas saj, drejtimet profesionale janë të rëndësishme për arsye se, siç theksoi janë të përgatitur për tregun e punës menjëherë pas mbarimit të shkollës së mesme.

Në Tetovë dhe në komunat e tjera të Pollogut, sivjet arsimin fillor janë duke e përfunduar 2174 nxënës dhe pritet që prej tyre, rreth 1800 nxënës të regjistrohen në shkollat e mesme komunale, ndërkaq, pjesa tjetër e nxënësve do të regjistrohen në shkollat jashtë Tetovës, në shkolla private, fetare dhe të tjera. Ndryshe, paraqitja e dytë për regjistrimin e nxënësve do të mbahet më 24 dhe 25 qershor, ndërsa i treti më 1 korrik. /Blerona Jakupi/

 

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!