close
Kulture

FILMI ‘I KISHA DHJETË VJET’ NË FESTIVALIN E NJU-JORKUT

D2CFF23D-C40C-4141-ADA4-2273B2C599EA

Filmi “I kisha dhjetë vjet”, qē trajton fatin e refugjatëve shqiptarë në Mal të Zi, në vitet 1998/1999 e që është transmetuar edhe në TV Klan Macedonia, është radhitur në konkurrencën zyrtare të International Filmmaker Festival of New York, (IFFNY), në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Filmi i autorit Velibor Çoviq është një bashkëprodhim i A-Production nga Podgorica dhe Radiotelevizionit të Kosovës

Është një rrëfim në retrospektivë për Edita Bujupajn, kryeprotagonistjen – nga tavolina e montazhit e së cilës shpërfaqet gjithë golgota kosovare e fundshekullit të kaluar dhe kujtesa për atë kohë, kur nën trysninë e forcave ushtarako policore serbe, ndodhi dyndja e paparë, kur Kosova praktikisht u boshatis: shumica e shqiptarëve gjetën strehim në Shqipëri, Maqedoni dhe në Mal të Zi. Në këtë të fundit u vendosën mbi 100 mijë. Edita më 1999 ka qenë dhjetë vjeçe, tash punon në një televizion të Prishtinës.

Rrëfenjat e dokumentarit janë dëshmi rrënqethëse për krajatat nëpër të cilat kaluan, por edhe provë e mikpritjes dhe bujarisë. Gjurmëve të një fiotografie të një foshnjeje në krahët e nënës, të lindur atëbotë në spitalin e Rozhajës në Mal të Zi, skenaristi dhe regjisori Velibor Çoviq e gjenë atë, në lulen e rinisë, në qytetin e Pejës: ‘Gjatë xhirimeve në Kosovë unë kam hyrë në të paktën 50 shtëpi. Nga secila familje kam dëgjuar të thuash të njëjtat fjalë: për burrërinë dhe besën. Në kujtesën kolektive u ka mbetur e ngulitur çdo hollësi nga ato ditë. Kujtimet e veta ua kanë lënë amanet edhe fëmijëve të tyre, njësoj si e ëma e kësaj vashe’. E, vasha me emrin Ejolla Muriqi, nuk nguron ta pranojë këtë edhe përpara syrit të kameras: ‘Kur do të fejohem, do të shkojë të marrë çertifikatën time në Mal të Zi dhe do të takoj maminë Jelena Veriq dhe doktoreshën Almina Daciq të cilat kanë ndihmuar lindjen time’…

Paraqitja e filmit në festivalin ndërkombëtar në SHBA, s’do mend se është një provë për vlerat e që i ngërthen./Klan Macedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia