close

FON DER LEYEN: NJË EVROPË NË SHËRBIM TË QYTETARËVE

Në konferencën e parë për shtyp pas votimit, presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lejen ka deklaruar se do të punojë për një Evropë demokratike, të fortë ekonomikisht dhe të bazuar në shtetin ligjor në mënyrë që kontinenti i vjetër të ecë përpara.

Me një emocion të fortë, presidentja e sapozgjedhur e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen pas votimit në Parlamentin Europian është shprehur se tani është koha t’i thotë lamtumirë qeverisë në Gjermani dhe të kalojë pushimet midis Brukselit dhe Strasburgut për të formuar ekipin e ri të Komisionit Europian. Ajo i ka kërkuar shteteve anëtare të propozojnë komisionerët më të mirë, duke synuar një barazi të plotë gjinore midis komisionerëve.

“Këto dy javë kanë qenë më intensivet në jetën time. Dua ta çoj Evropën përpara në pesë vitet e ardhshme, duke e bërë një Evropë mike të klimës, që i shërben qytetarëve, të fortë ekonomikisht, ashtu si dhe në aspektin digjital. Por gjithashtu edhe një Evropë të bazuar në shtetin ligjor me një demokraci vibruese. Do të punoj për programin tonë muajt e ardhshëm dhe do të formoj një ekip të dedikuar krejtësisht për këtë përpjekje që duam të nisim bashkë. Ndaj i bëj thirrje shteteve anëtare që të propozojnë komisionerët më të mirë dhe dua të shoh po aq meshkuj sa femra rreth tryezës së kolegjit.” – tha Ursula Von Der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.

Shumë gazetarë e kanë pyetur presidenten e re të Komisionit Europian, se si ndihet pas një votimi kaq të ngushtë nga Parlamenti Europian, por për Ursula von Der Leyen ajo që është e rëndësishme është që ajo ka votën e shumicës, kur para dy javësh pothuajse asnjë nuk e njihte në nivelin europian. /Erisa Zykaj, Bruksel/