Organizata, Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, thekson në raportin e saj të publikuar të mërkurën se në demokraci sikurse edhe në shtetet autoritare, udhëheqësit që synojnë konsolidimin e pushtetit, po gjejnë mënyra të reja për të shtypur gazetarinë e pavarur.
Sipas të dhënave të Freedom House, liria e medies është përkeqësuar në mbarë botën gjatë dekadës së fundit, me forma të reja të shtypjes që zbatohen si në shoqëritë e hapura edhe në shtetet autoritare. Trendi është më i shprehur në Evropë, më parë një fortesë e lirive dhe në Euro-Azi e në Lindjen e Mesme, ku janë të përqendruara shumë nga diktaturat më të mëdha në botë.
“Në disa prej demokracive më me ndikim në botë, shtresa të mëdha të popullsisë nuk marrin më lajme dhe informacione të paanshme. Kjo nuk ndodhë se gazetarët janë futur në burg, siç mund të ndodhë në shtetet autoritare. Në vend të kësaj, mediat kanë rënë pre e përpjekjeve për të mbytur pavarësinë e tyre.” –shkruan Freedom house.
Në raport përmenden qeveria e Viktor Orbánit në Hungari dhe administrata e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që kanë arritur “sukses” në heshtjen e gazetarisë kritike. Të dy udhëheqësit, thuhet në raport kanë përqendruar pronësinë mbi mediet, në duart e miqve të tyre.
Të dyja këto vende kanë nga 2 pikë në një matje nga 0 deri ne 4 ku rezultati 0, përfaqëson shkallën më të vogël të lirisë dhe ai 4, shkallën më të lartë të lirisë. Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, po ashtu kanë nga 2 pikë sikurse edhe të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. /Klan Maqedoni/