close

FSHATI TURK KALFAT KRENAR PËR BORIS XHONSON

Banorët e një fshati turk janë krenarë me zgjedhjen e Boris Xhonson për kryeministër i Britanisë së Madhe. Prejardhja e njërit prej stërgjyshërve të tij shpie në fshatin Kalfat në Turqinë qendrore, banorët e të cilit e ftojnë kryeministrin e ri britanik t’i vizitojë.

Kalfati është një fshat i vogël, njëqind kilometra në veri të Ankarasë. Aty në vitin 1813 u lind stërgjyshi i Boris Xhonson, kryeministrit kontrovers britanik. Është quajtur Haxhi Ahmet Riza Efendi. Javën e kaluar, pasiqë Xhonson i fitoi zgjedhjet në Partinë Konservatore dhe u emërua lider i ri, dhe me këtë kryeministër i Britanisë së Madhe, 1300 banorët e Kalfatit, siç sqaron udhëheqësi lokal Bajram Tavukçu, janë mbledhur në mes të fshatit për të festuar. Të nesërmen kryeministrja britanike Tereza Mej edhe zyrtarisht u largua nga posti, ndërsa Xhonson me të dashurën e tij u shpërngul në Dauning Strit numër 10.

“Njeri me prejardhje prej këtu…të arrijë në majën e një vendi me ndikim si Britania, të bëhet kryeministër, te ne ka shkaktuar emocione të forta, nuk mund as t’i përshkruaj.” – tha Adem Karagaç, banor i Kalafatit.

Karagaç shton se popullata lokale do të donte që Boris Xhonson të vijë ta vizitojë vendin e lindjes të paraardhësve të tij. Do të ishte nder për ta të jenë nikoqirë.

Banorët e Kalfatit i hodhën poshtë kritikat në llogari të Xhonson, të lidhura me të kaluarën e tij, duke shtuar se janë të panevojshme politikisht. Për shembull, në vitin 2016 Xhonson fitoi në garat e organizuara nga revista “Spektejtor”, redaktor i së cilës ishte në të kaluarën, për shkrimin e poemës nënçmuese për kryetarin turk Erdogan.

Para referendumit për Breksit, të njëjtin vit, Xhonson vazhdimisht paralajmëronte për mundësinë që Turqia një ditë të bëhet anëtare e BE-së, gjë që do të shkaktojë përmbytje të vendeve evropiane me turq, ndërsa ka qenë i kritikuar edhe për islamofobi, për çka ai u përgjigj se stërgjyshi i tij i cili ka qenë mysliman ka ardhur në Britani për shkak të shoqërisë së hapur dhe diversiteteve, që ai do t’i çmonte nëse do të bëhej kryeministër.

Se gjaku nuk është ujë sugjeron edhe informacioni se madje edhe djali i stërgjyshit Ahmet Riza Efendi, Ali Kemal, në kohën e tij ka qenë gazetar politik osman, ndërsa më vonë ka arritur deri në pozitën Ministër i Punëve të Brendshme. Por pasi është shpallur si “tradhtar pro-britanik” është vrarë nga anëtarët e një bande në vitin 1922.  /Biljana Georgievska/