Ditëve në vazhdim partitë vendosin për ndryshimet
Pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe rezultatit të ngushtë mes kandidatit të koalicionit qeveritar dhe të opozitës, Kryeministri Zaev paralajmëroi ndryshime në kabinetin e tij qeveritar, por edhe në administratën shtetërore, duke dërguar mesazhin se të gjithë ata që nuk janë të përkushtuar në punë dhe nuk kanë dhënë rezultate do t`i nënshtrohen “fshesës”. Një ditë pas zgjedhjeve dorëheqje dha ministri i Kulturës Asaf Ademi, siç tha, për shkaqe shëndetësore, por në qarqet e këtushme kjo u interpretua si fillimi i “fshesës” së Kryeministrit.
Termi “fshesë”, të cilin e përdori kryeministri kur paralajmëroi ndryshime në ekzekutiv, e ofendon zëvendësin e tij, Bujar Osmanin.
“Mendoj që termi “fshesë” është i papërshtatshëm. Do i ik përdorimit të termit “fshesë” –deklaroi Zëvendëskryeministri Bujar Osmani.
Por megjithatë, “fshesa” do të përdorët dhe ndryshime do të ketë.
“Ju e dini që me ligj është formuar” – shprehet Osmani.
Partnerët e koalicionit ditëve në vazhdim do ta hapin edhe debatin për ndryshimet që do të pasojnë, por një është e sigurt, Deskoska nuk kthehet në Ministrinë e Arsimit.
“Nuk kthehem në Ministrinë e Arsimit… Nuk jam unë Nikolla Todorov, që të shëtitëm në të gjitha resorët. Se a do ta lëshoj Ministrinë e Drejtësisë apo jo, nuk e di, por rruga ime është drejtë e jo për t’u kthyer prapa. Vendi i vetëm ku mund të kthehem pas politikës është Fakulteti Juridik.” –tha ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska.
Mbrëmë në rrjetet sociale u shpërnda lajmi se edhe Dimitrov do të largohet, dhe se do të punoj me një kompani amerikane, pasi që është i pakënaqur se nuk ishte ai kandidati për president i shumicës, por ky lajm menjëherë u demantua nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Përveç ndryshimeve në ekzekutivit, Zaev ka paralajmëruar edhe ndryshime në parti. E sipas burimeve partiake, viktima e parë e “fshesës” së Zaevit do të jetë sekretari i Përgjithshëm i partisë, Aleksandar Kiracovski. /Furkan Saliu/