close

FUTSALL: SHKËLQEN EKIPI “FUTSALL SHKUPI”

Kampioni i Maqedonisë së Veriut, Futsall Shkupi ka shkëlqyer edhe në ndeshjen e xhiros së dytë të grupit “B”. Në kuadër të paraeliminatoreve të Ligës së Kampionëve mundën kampionët e Andorrës me rezultatin 11:1. Gjithçka ishte fantastike, nisur nga vetë loja e lojtarëve “bardhekaltër” nga Çairi, por njëkohësisht edhe atmosfera e krijuar nga publiku ishte impozante.

Rexhep Sulejmani dhe Erkan Seferi shënuan nga tri gola, ndërsa nga një gol Taulant Ismaili, Aleksandar Gligorov, Dragan Petroviç, Erkan Shabani dhe San Segundo autogol. Në anën tjetër golin e vetëm për Encamp e realizoi Neira. Pas kësaj fitore Futsal Shkupi merr sërish kryesimin në grupin “B” paraeliminator të Ligës së Kampionëve me 6 pikë dhe një gol-averazh 16:1, ndërsa në vendin e dytë me po aq pikë, renditet Lokomotiva, që në ndeshjen e xhiros së dytë e mundi ekipin e Kardif University me rezultatin 5:1.

Ndeshjet e xhiros së tretë te Grupi B, luhen të shtunën, ndërkaq ndeshja vendimtare që vendos se cili ekip do të jetë fitues i grupit është ai mes Futsall Shkupi dhe Lokomotiva Daugavpils që fillon në ora 20:00, ndërsa ndeshja tjetër mes Kardif-it dhe Encamp fillon në ora 17:00. /Shaban Sinani/