Ai mbulonte vizitën e shefit të diplomacisë
Një gazetar iranian që po mbulonte vizitën e ministrit të Jashtëm të Iranit, Mohammad Xhavad Zarif, në një turne në vendet skandinave, ka ikur nga delegacioni zyrtar i vendit të tij dhe ka kërkuar azil politik në Suedi, – kanë njoftuar autoritetet e këtij vendi.
Zyra suedeze për të huajt ka konfirmuar se Amir Tohid Fazel, një raportues politik i agjencisë iraniane të lajmeve ‘Moj’ më 21 gusht, pa dhënë ndonjë hollësi më shumë, kishte këkuar leje qëndrimi në Suedi.
Ndërkohë, bëhet e ditur se Fazel kishte publikuar kohë më parë një listë me emra të zyrtarëve iranianë të cilët gjoja posedonin shtetësi të dyfisht, madje edhe të vendeve të cilat qeveria në Teheran i cilëson si armiqësore. Pas kësaj, ka thënë ai, policia ka dashur që ta arrestojë. Irani nuk e njeh dyshtetësinë e as mbrojtjen konsullore për personat të cilët posedojnë këtë dokument.
Nuk dihet se si gazetari Amir Fazel ia ka dalur të largohet nga delegacioni shumanëtarësh, në përbërje të të cilit ka pasur edhe 48 truproje të kryediplomatit të Iranit, vend ky i cili pritet të kërkojë ekstradimin e tij.
Sipas rangimit të organizatës ndërkombëtare ‘Reporterët pa kufij’ për lirinë e shtypit, Irani ndodhet në vendin e 170, nga gjithsej 180 vende./Klan Macedoni/