close

GJERMANIA I KËRKON FALJE POLONISË PËR KRIMET E LUFTËS

Kryeministri Morawiecki kërkon dëmshpërblim


Bota përkujton sot fillimin e Luftës së Dytë Botërore që nisi me pushtimin e Polonisë nga Gjermania naziste. Me këtë rast, Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, u ka kërkuar falje polakëve për krimet gjermane të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai i ka folur për këtë në qytetin e Wielunit.  Ceremonia qendrore u zhvillua në Varshavë ku morën pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe nënpresidenti amerikan, Mike Pence.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier gjatë qëndrimit në Poloni, në manifestimet në shenjë të 80 vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, ka vizituar Wielunin, qytet ky i pari që u bombardua nga aviacioni nazist i Hitlerit dhe me këtë rast kërkoi falje për krimet e bëra.

‘Përkulem para viktimave të sulmit në Wielun. Përkulem para viktimave polake të tiranisë gjermane dhe lutem për falje,’- tha Presidneti Steinmeier duke iu drejtuar të pranishmëve edhe në polonisht. Ai, së bashku me shumë president të shteteve dhe qeverive po qëndron në Poloni me rastin e përkujtimit të 80 vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore që nisi pikërisht me sulmet e aviacionit ajror nazist mbi qytetin e Wielunit, sikurse thonë agjencitë e lajmeve, pa ndonjë rëndësi ushtarake, por duke lënë të vdekur 1.200 persona. Gjatë kësaj lufte, gjetën vdekjen gjashtë million shtetas të Polonisë, përfshirë këtu edhe tre million hebrenj.

Presidenti polak, Andrzeja Duda, ndërkaq rikujtoi se Lufta e Dytë Botërore nisi me një krim lufte, me një akt terrorist kundër civilëve:

‘Nuk mund të harrojmë Luftën e Dytë Botërore as kur të mos jenë dëshmitarët e saj… për të qenë të sigurt se ajo që ndodhi në Wielun dhe më pas nëpër shumë vise të Polonisë dhe në vendet e tjera, të mos përsëritet kurrë më,’ – tha presidenti polka duke falënderuar kolegun e tij gjerman për pjesëmarrjen në këtë tubim përkujtimor.  Kryeministri i Polonisë, Mateus Morawiecki, ndërkaq në një tubim tjetër, në Gdanjsk, në prani të Presidentit të Komisionit Evropian, Frans Timmermans, duke rikujtuar dëmet e mëdha në njerëz, por edhe materiale të cilat i pësoi Polonia gjatë Luftës së Dytë Botërore,  tha se kërkon të vërtetën, por edhe kompensimin e tyre. /Klan Macedoni/