close

GJYKATA REFUZON KËRKESËN E KOÇANIT

Koçan duhet të vuaj dënimin me burg prej 4 vjet e 8 muaj


Sead Koçan duhej të lajmërohet më 17 korrik për vuajtjen e dënimit me burg prej 4 vjet e 8 muaj pasi gjykata e Apelit në mars të këtij viti i ka zvogëluar dënimin e shkallës së parë nga 6 vjet, i cili fillimisht ishte dënuar nën akuzën për keqpërdorim të furnizimit publik në korrik të vitit 2018. Por, ai deri tani dy herë ka kërkuar nga gjykatat e Maqedonisë që të prolongohet vendimi për të bërë burgun e caktuar.

Gjykatësi për zbatim të sanksioneve në Gjykatën Penale – Shkup e ka refuzuar kërkesën e dytë të biznesmenit, Sead Koçan që për shkak të arsyeve shëndetësore t’i prolongohet mbajtja e burgut prej katër vjet e tetë muaj për lëndën “Trust” të PSP-së,

“Gjykatësi për zbatimin e sanksioneve në Gjykatën Penale të Shkupit, kompetent për të vepruar për lëndën e Prokurorisë Speciale “Trust”, e refuzon si të pabazë dokumentacionin e plotë mjekësor, që është dorëzuar me kërkesë që të prolongohet mbajtja e burgut e njërit prej të akuzuarve në lëndën konkrete”, njoftojnë nga Gjykata Penale.

Vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë të cilët kanë të drejtë të ankohen në Këshillin Penal, ndërkaq pas vendimit të plotfuqishëm, Koçan është i obliguar që menjëherë të paraqitet në mbajtjen e burgut, ose në të kundërtën do të arrestohet.

Gjykatësi për zbatimin e sanksioneve më 20 qershor të këtij viti mori vendim që biznismeni Koçan të lajmërohet në institucionin gjykues-korrektues më 17 korrik 2019 për kryerjen e dënimit me burg. Në ndërkohë, ai ka dorëzuar kërkesë tjetër për prolongimin e mbajtjes së burgut për shkak të sëmundjes, që gjithashtu, është refuzuar.

As nga pala e mbrojtjes dhe as nga gjykata ende nuk ka informacione se për çfarë probleme serioze shëndetësore bëhet fjalë edhe nëse i dënuari është ende i hospitalizuar apo është në kurim shtëpiak. I dënuari i dytë në të njëjtën lëndë, Vasilie Aviroviq, fillimisht u dënua me tri vite burg, por Gjykata Apelit ia uli dënimin në 2 vite burg. /Klan Macedoni/