close

GJYKATËSJA: DËNIMET PËR 27 PRILLIN NË BAZË TË PROVAVE

Kacarska për akuzat e Ziadin Selës


Gjykatësja Dobrila Kacarska që të premten e kaluar shqiptoi 211 vite burgim për 15 të akuzuarit e ngjarjes së dhunshme të 27 prillit të vitit 2017, ka deklaruar se dënimet që shkojnë nga shtatë deri në 18 vjet i ka dhënë në bazë të provave të dëshmuara. Në intervistën dhënë televizionit Prva, në Shkup, Zonja Kacarska e cila u bë e njohur me dënimin e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, ka komentuar edhe dënimin e shqiptarit Abdulfeta Halimi, njeriut që shpëtoi jetën e deputetit Ziadin Sela.

Kjo është gjykatësja që të premten e kaluar 15 të akuzuarve për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe të sigurisë në vend, për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit të vitit 2017, në Parlamentin e Maqedonisë u shqiptoi 211 vjet dënime me burg. Katër ditë pas shqiptimit të dënimeve, Dobrila Kacarska tha për një televizion maqedonas, se dënimet i kishte shqiptuar konform ligjit dhe në mbështetje të provave të siguruara.

‘Nuk pata asnjë fije dyshimi se të akuzuarit janë fajtorë për atë vepër penale për të cilën akuzohen’.

Kacarska, në televisionin Prva TV iu është përgjigjur edhe akuzave të kreut të Aleancës opozitare për Shqiptarët, Ziadin Sela se dënimi me shtatë vjet burg i Abdulfeta Halimit, njëri ndër të akuzuarit, që shpëtoi z. Sela, është simbolikë e shqiptarit që i montohen akoma procese politike. Gjykatësja, pa e mohuar këtë, thotë se edhe ai është gjetur fajtor:

‘Para së gjithash duhet sqaruar punët. Unë edhe gjatë shqiptimit të dënimit thashë: Është fakt i pamohueshëm se Abdulfeta Halimi kontribuoi që të shpëtohet jeta e deputetit Ziadin Sela, por të mos harrojmë, po ky i akuzuar është nëpunës policie të cilin e shohim qartë në kamera te dyert e hyrjes, me çelësa në dorë, dhe jo vetëm këtu: Atë e shohim edhe para sallës së shtypit, sallës numër tre, aty ku u rrahën deputetë, gazetarë, nëpunës të policisë. I njëjti nuk po ndërmerrte asgjë që domethënë se ai e ka bërë veprën penale, kurse shpëtimi i zotit Ziadin Sela ndodh pasi ishte kryer vepra penale,’ – tha Kacarska duke saktësuar se në shqiptimin e dënimit është marrë parasysh edhe ky fakt, ndaj Alimi mori dënim thuajse gjysmë më të ulët se të tjerët.

Dobrila Kacarska është gjykatësja të cilës i është besuar shumica e lëndëve të hapura nga Prokuroria e Posaçme Publike e që kanë lidhje me dyshimet për veprimtari kriminale e korruptive që mbështeten në të ashtuquajturat bomba politike – megaskandali i përgjimeve masive që çoi në ndërrimin e pushtetit në vend. Ajo ka dënuar edhe ish-kryeministrin Nikola Gruevski dhe një varg bashkëpunëtorësh të tij. Të mërkurën në mbrëmje, kjo gjykatëse që karrierën e ka filluar në kohën e socializmit dhe që deri më sot nuk ka përjetuar kurrfarë rënie, tha se ndërgjegjen e ka të pastërt për shkak se, sikurse u shpreh, pikënisje për çdo aktdënim ka provat dhe vetëm provat.  /Seladin Xhezairi/