Kanë votuar 500 mijë veta nga 160 vende të botës
Para tre muajsh Barcelona hapi një votim për tifozët e vet, duke i ftuar të votonin për golin më të bukur në historinë e klubit. Fillimisht u seleksionuan në total 64 gola dhe u krye një proces me eliminim deri në finale, ndërsa tashmë ka ardhur edhe verdikti, pas 500 mijë votash, me votues nga më shumë se 160 vende të botës. Goli më i bukur në histori u zgjodh ai i shënuar nga Lionel Messi ndaj Getafe-s, në një ndeshje kupe, në sezonin 2006/2007. Goli i shënuar nga “Pleshti” mori më shumë vota, nga 4 golat që mbërritën në fazën finale të votimit.
I katërti në listën e golave më të votuar ishte një gol i shënuar nga Sergi Roberto kundër PSG-së, 11% të votave, ndërsa podiumi është i tëri për Messin. 45% të votave i mori goli ndaj Getafes, 28% një gol kundër Athletic Bilbao në finalen e Kupës së Mbretit dhe 16% një gol në Bernabeu, për Champions League. /Agjencitë/