Sot u promovua rehabilitimi i rrugës lokale nga Ura e fshatit Sushicë që dërgon deri tek deponia Rusino në komunën e Gostivarit, që kap një gjatësi prej 2.5 km.
2.5 km është gjatësia e rrugës së rehabilituar me fillim
nga Ura e fshatit Sushicë dhe e cila vazhdon drejt deponisë Rusino, e cila e promovua sot në Gostivar me investim nga
qendra për zhvillim të rajonit planor të Pollogut, përkrahur financiarisht nga Ministria e Pushtetit lokal dhe Byroja për zhvillim të barabartë rajonal të RMV-së.
Ky projekt që është edhe një nga kërkesat e banorëve lokalë, është dashur të realizohet që më herët, theksoi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, për faktin se deponia Rusino është deponi rajonale dhe përfshin nëntë komuna. Ai theksoi, se duhet edhe më tej të vijohet me bashkëpunimin mes komunave që të rregullohet pjesa e dytë e rrugës dhe rruga alternative.
Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës, theksoi se kjo
rrugë erdhi si rezultat i bashkimit të fondeve të të gjitha komunave të Pollogut.
‘Është një projekt i marrëveshjes së të gjitha komunave të Pollogut, që është një projekt i marrëveshjes së komunave të Pollogut. Ne të gjitha komunat ramë dakord që këto fonde të cilat i kishim ti bashkojmë të gjithë në një qëllim apo në një projekt të përbashkët në të mirën e qytetarëve të Pollogut, ndërtimin e rrugës për në deponinë Rusino.’ –deklaroi Teuta Arifi, Kryetare e komunës së Tetovës.
Ndërkaq, ministri i Pushtetit Lokal, Goran Milevski theksoi se këtë vit, ministria ka ndarë 55 mln denarë për projekte të tjera që lidhen me zhvillimin rajonaë planor të Pollogut.
‘Ministria e Pushtetit Lokal për këtë rrugë ka ndarë 24.5 milionë denarë, gjysma e së cilës ka përfunduar. Shpresoj që me anë të një projekti tjetër do të arrijmë që vitin e ardhshëm këtë rrugë ta përfundojmë tërësisht. Ky projekt është që nga viti i kaluar, kurse këtë vit ministria ka ndarë shumë të dyfishtë, prej 55 milionë denarë për projekte të tjera që lidhen me zhvillimin rajonal planor të Pollogut.’ –shprehet Goran Milevski, ministër i Pushtetit Lokal.
Gjatë këtij promovimi, krerët e komunave poashtu i bëjnë
apel qeverisë që të tregojë më shumë angazhim për sa i përket zgjidhjes së çështjes me deponitë në vend, duke pasur parasysh faktin se i tërë shteti ka probleme të kësaj natyre. /Blerona Jakupi/