close

GOSTIVAR: ZJARR NË DEPON E GOMAVE

Pronari: Zjarrfikësit intervenuan me vonesë


Një depo gomash është djegur si rezultat i zjarrit që është përhapur nga disa mbeturina të ndezura në afërsi të fshatit Zdunjë në qytetin e Gostivarit. Nga ky zjarr kanë pësuar mbi një mijë goma dhe një hapësirë prej 6 mijë metër katrorë.

Sipas pronarit të depos së gomave, zjarri ka zgjatur rreth një orë derisa Njësiti i Zjarrfikësve ka arritur në vendngjarje për të intervenuar. Ai thekson se për shkak të vonesës së lokalizimit të zjarrit nuk është arritur të shpëtohet asgjë.

Ndërkaq, kryetari i Njësitit të Zjarrfikësve Jusuf Bajrami deklaroi se menjëherë pas marrjes së telefonatës për zjarr për 5 minuta kanë arritur në vendngjarje, ku siç theksoi, menjëherë ekipi prej 10 zjarrfikësish ka arritur ta lokalizojë zjarrin.

Nga Njësiti Kundër Zjarrit apelojnë që të kihet kujdes me djegien e mbeturinave. Eliminimi i të njëjtave të bëhet larg vendbanimeve dhe vendeve ku gjasat e përhapjes së zjarrit janë të mëdha. /Blerona Jakupi/