close

GRABITET NJË BANKË NË ÇAIR

Një shumë parash, tani për tani e panjohur, është vjedhur në ekspoziturën e NLB bankës në Çair të Shkupit, nga një grup i armatosur.

Në njoftimin e bërë në MPB thuhet se grabitësit kanë shtënë me armë, nuk ka të plagosur nga përdorimi i armëve, por një person i sigurimit të bankës është lënduar nga një goditje fizike.

Tani për tani nuk ka më shumë hollësi, vetëm se është duke u vepruar në drejtim të zbardhjes së rastit që ka ndodhur në kohë të punës së ekspoziturës dhe se klientët dhe të punësuarit janë në gjendje të mirë.

NLB banka para disa vitesh ishte viktimë e vjedhjes deri më tani më të madhe të bankës në Maqedoni, kur nga thesari i bankës qendrore, në qendër të Shkupit u grabitën rreth tre milionë euro.

Personi përgjegjës i cili pranoi fajin u dënua me pesë vite burg. Banka nga sigurimi i vet mori dëmshpërblim për dëmin. As policia e as banka nuk tregojnë se sa para janë grabitur, por NLB përmes një kumtese thotë se mjetet e klientëve janë të sigurta, sepse banka ka sigurim për tërë pasurinë dhe kapitalin e vet.

Në ndërkohë thuhet se në afërsi të lumit Serava është gjetur një automjet i djegur të cilin e kanë përdorë grabitësit. /Klan Maqedoni/