Parlamenti grek ka zgjedhur të enjten kryetarin e ri. Ai është deputeti i demokracisë së re, Kostantinos Tasoulis, që mori një rekord votash: 283.
Në një akt të rrallë për Greqinë, kandidatura e paraqitur nga maxhoranca, është votuar edhe nga partia më e madhe opozitare, SYRIZA, por edhe parti të tjera parlamentare, me përjashtim të asaj komuniste që abstenoi.
Kjo mund të jetë shenjë e një mentaliteti të ri në politikën greke, në kohën që vendi ka nevojë pikërisht për stabilitet politik e social.
Këto janë dy kushte të domosdoshme që qeveria e re greke të sendërtojë objektivat e veta, që synojnë një ristartim të vendit, më së pari në planin ekonomik.
Fitorja e zgjedhjeve ishte pjesa më e lehtë për Kyriakos Mitsotakis. Tani fillojnë vështirësitë. Masat që po përpunon qeveria, për të përmirësuar klimën e ekonomisë dhe të investimeve, do të jenë vazhdimisht nën vështrimin e rreptë të kreditorëve ndërkombëtarë, “trojkës” së famshme që tashmë emërtohen “institucione”. Qytetarët mund të jenë sot optimistë, por janë gjithashtu të vetëdijshëm se ndodhen ende larg përfundimit të peripecive.
- Besoj se do të shkojmë shumë më mirë.
- Shpresoj të shkojmë mirë, shpresoj. Zoti e bëftë mbarë.
- Nuk besoj se do të vijnë ditë më të mira… Të shohim…
- Sigurisht që gjërat do të ndryshojnë për mirë. Mitsotakis do t’i ndryshojë.
- Kërkohet kohë, kërkohet konsensus.
Kreditorët ndërkombëtarë kanë thënë se në shtator do të shqyrtojnë projektin e qeverisë greke për reformën tatimore, që parashikon ulje të ndjeshme të tatimeve për biznesin dhe qytetarët. /Robert Goro, Athinë/