close

GREVË DHE MËSIM NË DITËN E PARË TË SHKOLLËS

Viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut nuk ka nisur si duhet më 2 shtator, pasi punonjësit e arsimit në shkollat fillore dhe të mesme kanë mbajtur grevë njëditëshe paralajmëruese për rritjen e pagave për 25 për qind. Greva vjen pas dështimit të bisedimeve mes sindikatës dhe Ministrisë së Arsimit për rritjen e pagave në sektorin e arsimit, e të cilat sipas sindikatës, janë ndër më të ulëtat në rajon.

Zilja e parë e shënoi fillimin e vitit të ri shkollor, por jo në të gjitha shkollat. Me dilema dhe pasiguri nxënësit iu drejtuan bankave shkollore, atje disa të mirëpritur, disa pas dyerve të mbyllura. Ministri për Arsim dhe Shkencë Arbër Ademi është i bindur se fillimi i vitit të ri shkollor është i suksesshëm dhe se ekziston zgjidhje për problemet e punëtorëve të arsimit.

Nuk është paralajmëruar takim për ditën e nesërme, thonë nga sindikata për arsim dhe shkencë, por presin që deri në fund të muajit të ketë zgjidhje, janë të kënaqur nga bashkëpunimi me ministrinë, por bisedimet e mëtejshme duhet të jenë në dobi të të gjithë punëtorëve të arsimit me qëllim që të ruhet dinjiteti I këtij profesioni.

“Po, pres telefonatë nëse jo takim. Po, kemi qenë në kontakt dje. Kemi marrëdhënie korrekte me ministrinë, kemi qëllime të përbashkëta me ministrinë në pjesën e statusit social të të punësuarve në arsim, por kjo është e pamjaftueshme, mungojnë rezultatet.”- tha Jakim Nedellkov, Kryetar i SASHK-ut.

Këshilli Rajonal i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Tetovë ka njoftuar se në të gjitha 30 shkollat ku mësimdhënësit janë anëtarë të sindikatës, greva paralajmëruese është mbajtur pa pengesa. Mësimdhënësit thonë se marrin pagat më të ulëta në rajon.

Edhe në Shkollën Fillore “Bratstvo- Migjeni” në Tetovë, thonë se dita e parë e procesit mësimor është zhvilluar normalisht dhe se kanë pranuar kumtesën e grevës dhe nuk kanë penguar të njëjtën.

 Rreth presioneve mbi drejtorët dhe arsimtarët nga SASHK-u pohojnë se kanë qenë minimale, ndërsa greva është zhvilluar pa ndërprerje. Shoqata sindikale pret që në afat sa më të shkurtër kohor të ketë zgjidhje, në qoftë se kjo nuk ndodh janë të gatshëm për grevë të përgjithshme dhe aktivitete të  tjera të garantuara me ligj. Në pjesën e pagave të punëtorëve të arsimit në rajon nga SASHK-u theksojnë se Maqedonia vazhdon të ketë pagat më të ulëta në rajon. /Verica Dimitrijevska/