Ish-Kryeministri i dënuar Nikola Gruevski, në një intervistë për Televizionin Kombëtar Italian – RAI, ka theksuar se, para se të arratiset, përmes letrës ka kërkuar ndihmë nga Komisioneri Han dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Federika Mogherini dhe kancelarja gjermane Merkel, por si ka thënë, nuk ka marrë përgjigje nga ata. Ai në këtë intervistë ka theksuar se është arratisur dhe ka kërkuar azil, për shkak se ka qenë i ndjekur politikisht nga pushteti. Në vazhdim ta ndjekim storjen e Radio Televizionit Italian RAI rreth kësaj teme.
Ka 48 vjet, bashkëshorten dhe dy vajza dhe pas vetes një dekadë fuqi politike. Ish-Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, nga nëntori i kaluar edhe zyrtarisht është i arratisur. Në momentin kur duhej të ballafaqohej me dënimin prej dy viteve burg, i humbin gjurmët. Disa ditë më vonë, përmes një postimi në Facebook theksoi se gjendet në Hungari, ku pas një procedure të shkurtër fitoi azilin politik. Gruevski pranoi të flet për Radio Televizionin Italian- RAI, në një intervistë të parë për media jashtë Ballkanit. Ekzistojnë dy arsye se përse kërkova dhe fitova azilin – thotë ai.
“E para se isha i ndjekur politikisht, nën presionin e qeverisë dhe gjykatave tona që vendosën të më burgosin. Rasti për të cilin isha i dënuar është i fabrikuar, i falsifikuar. Shkaku i dytë është se në burg do të isha i rrezikuar.”
Siç ka thënë për një media të Maqedonisë, ish-Kryeministri Gruevski ka pasur njohuri se ekziston një plan për likuidimin e tij pas grilave, dhe për këtë shkak ne e pyetëm; Kush mund ta bëntë këtë?
“Në këtë moment nuk mund t`ju siguroj detaje, institucionet e vendit janë nën presion dhe nuk kanë pavarësi të mjaftueshme që të bëjnë hetime të këtij lloji. Kur isha Kryeministër realizova shumë reforma të popullarizuara, por cdoherë ekziston dikush që nuk i shkojnë për shtati dhe ai shndërrohet në armik. Në disa momente kishte fushata agresive kundër meje dhe në këtë kontekst mund t`i lokalizojmë njerëzit që donin të më likuidonin”.
Gruevski ishte i dënuar për shkak se kishte bërë presion për blerjen e një automjeti të blinduar që e ka shfrytëzuar si Kryeministër, procesi i cili, sipas tij, është shndërruar në farsë.
“Pak kohë para se të arratisem nga vendi i dërgova një letër Komisionerit për Zgjerim Johanes Han dhe Shefes së Diplomacisë së BE-së, Federika Mogherini dhe shumë të tjerëve, mendoj se edhe Angela Merkeli, ku kërkova që të dërgojnë një gjykatës në pension nga vendet e zhvilluara evropiane, që t`i lexojë dokumentet sipas të cilëve më akuzojnë, të flet me prokurorët, me ne, me gjykatësit nëse është nevoja, por nuk mora përgjigje të letrës.”
Thirrja e tij drejtuar institucioneve evropiane ende është e hapur dhe valide.
“Parlamenti Evropian miratoi njëfarë rezolute kundër Hungarisë, ku kërkoi që autoritetet hungareze të më ekstradojnë, jam i bindur se asnjëri prej tyre nuk I ka lexuar dokumentet. Nëse këtë e bënin do të ishin të surprizuar dhe të shokuar, sic ishin nga Byroja e Emogrimit këtu në Hungari.”
Nikola Gruevski është një aleat i afërt i Viktor Orbanit, me të cilin ndan vizione politike konzervative. Gjatë gjithë kohës, Gruevski i cili u dorëhoq në vitin 2016, mohon se ka pasur një marrëveshje paraprake.
“Vendosa të vij në Hungari për shkak se ka institucione të pavarura.”
Për arratisjen, Gruevski mbetet i rezervuar dhe nuk zbulon se kush i ka ndihmuar. Tregon se sëpari ka arritur në Tiranë, përkundër asaj se nuk kishte pasaportë dhe se atje ka kërkuar azilin përmes ambasadës hungareze.
‘Duke e ditur se një kohë të gjatë kam qenë Kryeministër dhe se siguria ime është cënuar vendosën të më transportojnë në Hungari. Udhëtimi ishte organizuar nga diplomacia hungareze”
Gruevski është kundërshtar i Marrëveshjes së Prespës, ku u dakordua ndryshimi i emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, me cka vendit ju mundësua aderimi në NATO, të cilin thotë se e ka përkrahur vazhdimisht. Me këto pozicionime ai u përball me shumë kritika, nga ata që e akuzojnë se luan lojërat e Rusisë e të Putinit që haptazi është kundër aderimit të Maqedonisë në NATO.
“Nuk ka pasur ndikim rus ndaj meje apo partisë sime, asnjëherë nuk do ta pranojmë. Të luftosh kundër kësaj marrëveshje, dikujt i ngjan si luftë në dobi të Rusisë, kurse në realitet luftojmë për të drejtat tona, për emrin dhe identitetin tone.”