close

GRUEVSKIT I SKADOI AFATI

Kuvendi nis procedurë për marrjen e mandatit


Nikolla Gruevski mungoi gjashtë muaj në seancat e Kuvendit, pa arsye, dhe kjo e përmbush kushtin ligjor që të informohet komisioni për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit nga kryetari i Kuvendit për mungesën e tij dhe të niset procedura për heqjen e mandatit.
Këtë e kërkojnë edhe deputetet e shumicës, Muhamed Zekiri dhe Frosina Remenski.

“Është detyrim i kryetarit të Kuvendit që ta thërras seancën dhe pikën ta vë në rend të ditës për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit sepse kështu e kërkon ligji. A do të ketë, apo jo 80 vota atë do ta shohim… Ata që duan ta mbrojnë ende Gruevskin, le të votojnë kundër marrjes së mandatit, por duhet të shihet se kush është për t’iu marrë mandati e kush është kundër.” –  shprehet Muhamed Zekiri, Deputet i LSDM-së.

“Sot po bëhen 6 muaj nga mungesa e paarsyeshme nga puna e Kuvendit nga azilanti, Nikolla Gruevski. Para një testi serioz janë të gjithë deputetet për zbatimin e procedurës për marrjen e mandatit me 80 vota “pro”.deklaroi Frosina Remenski, Deputete e LSDM-së.

Nga VMRO DPMNE nuk përgjigjen se a do të votojnë për marrjen e mandatit. Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit thonë që Gruevskit i kalon sot afati gjashtë mujor, e që nesër kryetari Talat Xhaferi do ta informoj kryetarin e Komisionit për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit, e komisioni vendos se a do të shkohet në plenum. Për t’ia marrë mandatit Gruevskit, nevojiten dy të tretat e votave. /Furkan Saliu/