close
Rajoni

HAGË: NIS PUNËN PROKURORIA E POSAÇME PËR KOSOVËN

A15A2C10-AC6A-4D8E-B6CD-8BF07F853F13_cx0_cy16_cw0_w1023_r1_s

Fillon marrja në pyetje e të dyshuarve për krime lufte


Në Prokurorinë e Posaçme për krime lufte në Hagë ka filluar marrja në pyetje e të dyshuarve. I pari është paraqitur Rrustem Mustafa, një nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atje ka mbërritur edhe Sami Lushtaku, po ashtu një ndër komandantët e shquar në luftën e para dy dekadave. Thirrjes, ndërkaq nuk i është përgjigjur Remzi Shala, i njohur me emrin e luftës si “Molla e kuqe”. Ai u ka thënë medieve lokale se nuk do të paraqitet në intervistë meqë nuk i beson kësaj gjykate.

Zoti Mustafa i njohur me emrin e luftës si komandant Remi para se të hynte në ndërtesën e përkohshme të Prokurorisë së Posaçme tha se nuk ndjehej fajtor, por se kishte shkuar “për t’u përgjigjur në pyetjet e prokurorit në lidhje me rolin e tij në pretendimet e prokurorëve”.

Më herët, Rrustem Mustafa kishte shkruar në statusin e tij në fb:

‘Jam i sigurt se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte, fjalët dhe propaganda sugjestive si dhe perceptimet e krijuara për UÇK-në e di se do të rrëzohen dhe ne edhe individualisht, eprorët e UÇK-së, do të dalim faqebardhë.”

Rrjedhimisht, në fillim të muajit gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e kësaj gjykate pasoi hetimet për pretendimet e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Në korrik të vitit 2014, ish-prokurori i Posaçëm i Bashkimit Evropian, që ishte ngarkuar me hetimin e këtyre pretendimeve, Clint Williamson, tha se nuk kishte prova për trafikim organesh, por për përfshirje të zyrtarëve të lartë të UÇK-së në krime kundër njerëzimit.

Në Kosovë këto hetime u pritën me protesta me arsyetimin se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me krimet e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, njëzet vjet më parë. /Klan Maqedoni/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia