close

HAHN FOKUSOHET TE MAQEDONIA E VERIUT

Nuk përmend Shqipërinë


Sapo arriti në Luksemburg për mbledhjen e ministrave të punëve të jashtme të Bashkimit Europian, komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ka insistuar mbi pasojat për mosdhënien e dritës jeshile lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, pa përmendur Shqipërinë.

‘Ne po negociojmë sërish. Nuk bëhet fjalë vetëm për Maqedoninë e Veriut. që e meriton dritën jeshile, por është një sinjal për të gjithë rajonin.  Nëse do të rifillojnë bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit, të dyja palët do tê kenë nevojë të shohin që investimi për gjetjen e një kompromisi politik midis dy vendeve shpërblehet. Përndryshe, ata nuk do kenë asnjë motivim për t’u angazhuar në bisedime. Ndaj të gjithë duhet  të kuptojnë qartë rëndësinë e dhënies së një sinjali për një vend në interesin e të gjithë rajonit të Ballkanit.”- deklaroi Johannes Hahn, komisioneri për Zgjerimin

Ajo që u duk si një harresë e komisionerit Hahn lidhur me përmendjen e Shqipërisë, u përjashtua në përgjigjjet në vijim.  Komisionerit Hahi ka treguar qartë, se ai synon dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut, pa folur aspak për Shqipërinë.

“Nuk më pëlqen termi kompromis lidhur me vendimin në shtator. Ndoshta do më duhet t’a  pranoj, se nuk do të jetë vendimi im. Qëndrimi im është që sa herë një vend përmbush kushtet, edhe ne duhet t’i përgjigjemi pozitivisht. Çdo shtyrje  e vendimit krijon rrezik dhe nuk dua të krijoj rrezik kur nuk është e nevojshme.”- shprehet Johannes Hahn, komisioneri për Zgjerimin.

Gazetari: Cili është mesazhi juaj për Parisin dhe Hagën?

“Mesazhi im për këdo është që të kuptojnë se situata rajonale ka nevojë për perspektivë tërësore. Një vend ka investuar në mënyrë të jashtëzakonshme për perspektivën evropiane dhe lidershipi i tyre ka treguar kurajo. Nëse kjo gjë nuk do të shpërblehet, ne nuk do të humbasim vetëm përgjegjshmërinë tonë, por edhe besueshmërinë, si edhe fuqinë tonë.  Cdo gjë që kemi investuar me sukses në vitet e  fundit do të rrezikohej nëse ne nuk i qëndrojmë besnik premtimeve tona.’ –vlerëson Johannes Hahn, komisioneri për Zgjerimin.

Komisioneri për Hahn do të jetë prezent nesër në 18 qershor gjatë diskutimit të ministrave të jashtëm mbi çeljen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE dhe aprovimit të konkluzioneve për paketën e zgjerimit. /Erisa Zykaj, Bruksel/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!