close

HARADINAJ: BASHKIMI KOMBËTAR – PROJEKT HISTORIK

Projekt historik e ka quajtur bashkimin kombëtar Kosovë – Shqipëri, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Duke komentuar deklarimet e fundit të presidentit Hashim Thaçi për bashkimin kombëtar Haradinaj ka thënë se ky projekt është i shekujve, por në etapën në të cilat ndodhen aktualisht Kosova dhe Shqipëria, është me rëndësi që të thellohet bashkëpunimi e të hiqen pengesat, duke specifikuar taksën në Rrugën e Kombit.

“Çështja e bashkimit kombëtar është projekt i shekujve, por në etapën që ndodhemi mendoj se është me rëndësi që Kosova e Shqipëria të thellojnë bashkëpunimin e gjithanshëm, të heqim pengesat burokrative e administrative e të tjera, ose të heqim taksën e rrugës. Do të ishte mirë të veprojmë më konkret dhe të ndihmojmë lidhjen më të fuqishme ekonomike, të gjithanshme, Kosovë – Shqipëri”-tha Ramush Haradinaj- Kryeministër i Kosovës

Një ditë më parë presidenti i Kosovës Hashim Thaci ka deklaruar se po krijohen rrethana të reja, të cilat sipas tij, ofrojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë si zgjidhjen më të mirë.

Sipas tij zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, të nxirrnin deklaratat e nevojshme, të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pa kufij. /Blerta Dalloshi-Berisha/