close

HARADINAJ E KRASNIQI NË HAGË

Kanë përfunduar intervistimet në Gjykatën Speciale në Hagë kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj dhe ish- zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi.

Ramush Haradinaj ka zgjedhur heshtjen për t’u mbrojtur, duke mos u përgjigjur kështu në pyetjet e prokurorëve të dhomave të specializuara në Hagë.

Haradinaj pas intervistimit ka thënë se nuk ia lejon këshilla ligjore që të tregojë se për çfarë konkretisht është pyetur derisa ende nuk e di rolin e tij për çfarë është ftuar si i dyshuar.

Kam pranuar këshillën ligjore që të mos përgjigjem fare në pyetje. Me këtë obligimet ligjore ndaj Gjykatës janë kryer, obligime tjera nuk kam. Kjo është e tëra që mund të them sot. Nuk ka një materie, përmbajtje, se për çka bëhet fjalë dhe këshilla ligjore ka qenë që të mos hyj në diskutime tjera por të mbrohem në heshtje. Nuk e di për çka jam ftuar, kam kërkuar shpjegime, për rolin tim në UÇK po, por jo diçka konkrete ka thënë Haradinaj.

Tash për tash prokuroria nuk ka paraqitur ndonjë obligim tjetër ndaj Hradinajt derisa ai ka thënë se do të kthehet në Kosovë. Haradinaj ka thënë se dorëheqja e tij është një ndërhyrje e madhe për Kosovën.

“Është një ndërhyrje e madhe për Kosovën. Jemi detyru në momente kur është dashtë me e mbajt fokusin në gjëra tjera me dhanë dorëheqje. Për fat të mirë ka stabilitet në Kosovë dhe është respektua ligji dhe kushtetuta. Partitë politike garojnë, nëse populli me jep besim e vazhdoj punën nëse jo u uroj fat të tjerëve”, ka thënë Haradinaj para mediave.

Intervistimin sot në Hagë e ka përfunduar edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi. Ai edhe pas kësaj nuk ka dashur të jap detaje për media se në çfarë cilësie është ftuar, por vetëm ka thënë se e ka kryer obligimin e tij ligjor. /Blerta Dalloshi-Berisha, Prishtinë/