close

HELSINKI TUBON EDHE PARTNERËT E BE-së NGA BALLKANI

Bashkëpunimi i BE –Ballkani Perëndimor


Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, sot dhe nesër në Helsinki, në një takim joformal, do të diskutojnë, ndër të tjera, edhe çështjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe problemet më të mprehta aktuale.

Shefat e diplomacisë e Bashkimit Evropian dhe të partnerëve nga Ballkani Perëndimor – Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, por edhe Kosova e Bosnjë-Hercegovina, të premten do të shqyrtojnë gjendjen në rajon përfshirë këtu çështjen e tarifave të debatueshme të Qeverisë së Kosovës ndaj mallrave serbe dhe nga Bosnjë-Hercegovina, si dhe mosformimin e qeverisë qendrore në Sarajevë.

Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që në këtë takim joformal të flitet edhe për zhvillimet në Shkup, saktësisht për aferën ‘Zhvatja’ në të cilën dyshohet të jetë e implikuar edhe Prokurorja Speciale, Katica Janeva, që aktualisht po vuan arrestin e caktuar prej tridhjetë ditësh, si dhe për krizën politiko-parlamentare në Shqipëri.

Tubimi i shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të Bashkimit Evropianë dhe homologëve të tyre nga Ballkani që fillon sot me një drekë me karakter pune, pritet të merret edhe çështja e kërcënimeve hibride dhe parandalimin e tyre, por edhe problemet që lidhen me situatën në Lindjen e Afërme, Marrëveshjen bërthamore me Iranin, apo edhe me zhvillimet në Arktik që janë ndër prioritetet e Finlandës si kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian, protestat në Hong Kong dhe zjarret e furishme në Amazonë. /Klan Macedoni/