“Heqja e 20%” – Lëvizja Besa dorëzon kërkesë zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë | Përgjigjet ministri Lloga

Lëvizja Besa sot edhe zyrtarisht ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për heqjen e “20 përqindëshit” për Gjuhën shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, përcjell KlanM.
Nga kjo parti thonë se tani është momenti historik për të ndrequr gabimet e së kaluarës që janë bërë përmes formulimeve joadekuate.
“Andaj Lëvizja BESA në bazë të dispozitave të nenit 130 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes kësaj kërkese i sugjeron dhe kërkon nga propozuesi i autorizuar i ndryshimeve kushtetuese, pra Qeverisë së RMV-së, që gjatë përpilimit të draft-verzionit për ndryshimet kushtetuese që do t’i dërgohet për debat Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të inkorporojë përveç ndryshimit të preambulës së kushtetutës edhe ndryshime të Amendamentit të V të kushtetutës së RMV”, deklaroi pas dorëzimit të kërkesës, Fatmir Sabriu nga departamenti i drejtësisë në Lëvizjen Besa.

Sipas Sabriut, në kërkesën e Besës kërkohet që Amandamenti V, pika 1, paragrafi 1 i Kushtetutës të formulohet në këtë formë:

  • Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj qirilik dhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj.

Janë përgjigjur edhe nga Ministria e Drejtësisë.

“Ministria e Drejtësisë ka marrë shkresën nga Partia Politike BESA, në të cilën kërkohet që gjatë përgatitjes së ndryshimeve kushtetuese të merret parasysh ndryshimi i Amendamentit V të Kushtetutës. Ministria e Drejtësisë njofton se të gjitha kërkesat lidhur me ndryshimet kushtetuese do të propozohen dhe shqyrtohen në grupin punues që do të formohet së shpejti, në të cilin anëtarë do të kenë edhe partitë politike, përfshirë edhe partinë BESA”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.
Tema e “20 përqindëshit” u riaktualizua javën e fundit, kur po afrohet edhe periudha e fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese rreth kërkesave të Bullgarisë./KlanMacedonia
Lexo gjithashtu
Total
0
Share