Mbi 100 mijë tifozë të Ajaksit festuan titullin kampion dhe Kupën e Holandës, në këtë sezon të garave. Një sukses i dyfishtë kombëtar, që u shoqërua me paraqitjen mbresëlënëse në Ligën e Kampionëve, ku “fëmijët e tmerrshëm” shkuan deri në gjysmëfinale. “Viktima” të “nipërve të Cruyff” u bënë as më pak dhe as më shumë, por gjigantë të tillë si Real Madridi e Juventus, ndër të tjerë, në kompeticionin madhor kontinental për klubet.
Pra, një edicion për t’u vënë në kornizë, që meritonte të festohej në mënyrë të çmendur, të shfrenuar. Të gjithë mbanin numrin 34 në fanella, si domethënie e titullit të 34-t të klubit. Në një moment policia i nxiti njerëzit që planifikonin të udhëtonin në këto festime për të qëndruar në shtëpi, sepse zona ishte e mbushur plot e përplot me tifozë të Ajax, me mbi 100 mijë të tillë. /Agjencitë/