Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha deklaroi se Kosova pret përfundimin e zgjedhjeve në Parlamentin Evropian që të sillet vendim për çështjen e liberalizimit të vizave. Ajo theksoi se kriteret për liberalizim janë përmbushur, tani është hapi i fundit dhe në takimin e qershorit të Këshillit të Ministrave pritet vendimi.
Kosova po pret që në Parlamentin Evropian (PE) të përfundojnë zgjedhjet, në mënyrë që të mund të lëvizet përpara me një vendimmarrje, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në zonën Schengen. Kështu tha ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, gjatë një konference për media.
“Ka ende punë sepse shtetet anëtare nuk dëshirojnë të marrin një vendim para se të përfundojnë zgjedhjet në PE. Kriteret për liberalizim janë përmbushur, tani jemi në hapin e fundit dhe në takimin e qershorit të Këshillit të Ministrave të kemi një vendim” –deklaroi Dhurata Hoxha -Ministre e Integrimeve Evropiane.
Ministrja Hoxha tha se tani është faza ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, duhet të votojnë veç e veç për çështjen e liberalizimit të vizave, dhe sipas saj, shtetet e BE-së po presin që të përfundojnë zgjedhjet në PE-së dhe më pas të marrin vendim.
“Duke parë që jemi në prag të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, asnjë nga shtetet anëtare nuk janë optimiste që do të mund të lëvizim përpara para këtyre zgjedhjeve’’ – shprehet Ministre e Integrimeve Evropiane.
Zgjedhjet në Parlamentin Evropian pritet të mbahen gjatë muajit maj. Ndërkaq, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor, të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen. /Agjencitë/