close
Top LajmeVendi

INGERENCAT NË ARSIM: PËRPLASJE KOMUNA E GOSTIVARIT – MASH

0

Marrja e kompetencave të arsimit për herë të dytë komunës së Gostivarit, ka bërë që këta të fundit të reagojnë, për siç thanë këtë padrejtësi që po bëhet. Nga komuna e Gostivarit theksojnë se nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore, por ky vendim është sjellë për shkak të presionit politik që i është bërë inspektoratit shtetëror të arsimit. Ndërkaq, Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës theksoi se marrja e kompetencave është bërë për shkak të shkeljes së dispozitave ligjore dhe se pas 9 muajve të njëjtat do t’i rikthehen komunës sërish.

Nga Komuna e Gostivarit thonë se marrja e kompetencave ishte e padrejtë sepse të njëjtit nuk kanë bërë asnjë shkelje dhe kanë vepruar konform të gjitha rregullave. Ata thonë se inspektoratit shtetëror të arsimit i është bërë presion politik për të nënshkruar këtë vendim, sikurse thuhet, të pa drejtë.

Snopçe poashtu theksoi se në këto momente të dhimbshme për qytetin e Gostivarit, kur secili përjeton fatkeqësinë e 15 viktimave të humbura, nuk është e hijshme të sillen vendime të tilla.

Ndërkaq, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, deklaroi se është detyruar të përballet me këtë situatë për shkak të shkeljes flagrante të dispozitave ligjore. Ai u shpreh se gjatë kësaj kohe janë shkarkuar nga puna shumica e drejtorëve të shkollave në komunën e Gostivarit dhe për këtë arsye, siç theksoi, nuk mund të qëndronin duarkryq.

Nga komuna e Gostivarit, me anë të një letre drejtuar kryeministrit të vendit Zoran Zaev,  kanë informuar këtë të fundit, për siç thanë, të gjitha parregullësitë që po bën ministri i Arsimit dhe Shkencës. Ndryshe, më 13 shkurt ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, solli vendim për marrjen e kompetencave në arsim komunës së Gostivarit, për herë të dytë. /Blerona Jakupi/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia