close

INSPEKTIME TURISTIKE PËR BALLAFAQIM ME EKONOMINË GRI

Turizmi vuan nga konkurrenca e pandershme në vend. Maqedonia edhe më tej është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka inspektoriat turistik as polici turistike, kritikojnë punëtorët turistikë. Në mungesë të mekanizmave të sigurisë dhe të zgjidhjeve turistët janë të ekspozuar ndaj ekonomisë gri dhe keqpërdorimeve në kërkim të vendqëndrimit të përshtatshëm. Drejtori i Agjencisë për promovim sot informoi se ka rënie të numrit të turistëve nga Turqia, ndërsa rritje të atyre polakë në vend.

Agjencia për promovim dhe mbështetje të turizmit nga viti i kaluar së bashku me odat dhe sektorin për turizëm në Ministrinë e Ekonomisë morën iniciativë për formimin e Inspektoriatit turistik, e cila ekziston kudo në Evropë, por jo edhe në Maqedoni. Sipas drejtorit, Lupço Janevski, inspektoriati do të duhej t’i rregullojë të drejtat e turistëve, për çka në vendet tjera ekziston edhe policia turistike.

“Shpresoj që së shpejti në bashkëpunim me Drejtorinë e të ardhurave publike (DAP) dhe me inspektoriatin e tregut do të formohet njësi e cila do të trajtojë turizmin deri në momentin kur inspektoriati turistik do të jetë në gjendje ta marrë detyrën e tij. Çdokund inspektoriati turistik është nën jurisdiksionin e Organizatës nacionale turistike.” – shprehet Lupço Janevski, Agjencia për Promovim dhe Mbështetje të Turizmit.

Ndryshimet klimatike, papastërtia kudo dhe problemi i ndërtimeve të egra në Ohër, si dhe rreziku që qyteti të humbasë statusin – i mbrojtur nga UNESKO, sipas Janevskit janë faktorët që ndikojnë në të vizituarit e vendit në afat të gjatë.

“Po, mund të ndikojë edhe në afat të gjatë edhe ajo që po ndodh në Ohër, shpresojmë dhe jam i sigurt se do të gjejmë forca që Ohri të mbetet nën mbrojtjen e UNESKO-s dhe të jetë perla që do të ndriçojë në sektorin turistik edhe shumë vite mëtutje.” –deklaroi Lupço Janevski, Agjencia për Promovim dhe Mbështetje të Turizmit

Statistikat tregojnë që në tremujorin e parë të këtij viti, vendin e kanë vizituar 232.530 turistë. Rënia më e madhe është te numri i turistëve nga Turqia, për 31 % këtë vit. Agjencia për promovim dhe mbështetje të turizmit paralajmëron se gjatë vjeshtës Maqedonia do të prezantohet si destinacion turistik në një nga bursat më prestigjioze të kësaj industrie, panairi në Londër, ku takohen përfaqësues të agjencive nga e gjithë bota dhe arrijnë marrëveshje për drejtimet në të cilat do të lëvizë turizmi global në të ardhmen. /Verica Dimitrijevska/