close

 IVANOV: PUBLIKIMI I LIGJIT TË GJUHËVE, KUNDËRKUSHTETUES

Cënohet shteti juridik


Lidhur me publikimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Gazetën Zyrtare dhe pa nënshkrimin dhe dekretin e Presidentit, ka reaguar ky i fundit duke i quajtur këto veprime si antikushtetuese dhe antiligjore.

Presidenti Gjorge Ivanov përmes një deklarate me shkrim ka komentuar publikimin e Ligjit të Gjuhëve në ‘Gazetën Zyrtare”. Ai ka shkruar se publikimi i ligjit të gjuhëve dhe Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës pa dekretin e Presidentit janë kundërkushtetuese.

“Me dorëzimin e dy ligjeve në “Gazetën Zyrtare” është shkelur Neni 75 i Kushtetutës së RM-së, derisa publikimi i ligjeve është bërë në mënyrë të jashtëligjshme dhe paraqet bazë për ndjekje penale” – shprehet Presidenti Gjorge Ivanov.

Presidenti Ivanov ka shkruar se ky moment do të tregojë nëse në Maqedoni ekziston Gjykata Kushtetutese, nëse funksionon prokuroria, nëse ka gjyqësor të pavarur dhe nëse ekziston sundimi i së drejtës.

“Pyes, nëse përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare, që përkrahin këtë koalicion qeveritar, do të prononcohen dhe do ta përkrahin këtë mënyrë të miratimit të ligjeve që sjellin pasoja të paparashikueshme dhe dëm ndaj drejtësisë dhe shtetit juridik” – ka shkruar mes tjerash Presidenti Ivanov në reagimin e tij me shkrim. /Klan Maqedoni/