close

“JO” ZGJEDHJEVE TË PARAKOHSHME, “PO” RIFORMATIMIT QEVERITAR

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev tha se në Këshillin Qendror të partisë së tij është votuar që ai të udhëheq procesin e rikonstruktimit qeveritar. Sipas Zaev rikonstruktimi do të përfshijë tetë ministri emrat e të cilëve do të publikohen kah fundi i javës tjetër. Ministrat do jenë nga LSDM, BDI dhe partnerët tjerë të koalicionit.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut sqaroi të gjitha dilemat. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, por do të ketë rikonstruktim të Qeverisë. Do të ndryshohen tetë ministra dhe 20 drejtorë të ndërmarrjeve shtetërore dhe e gjithë procedura duhet të përfundojë deri në fund të muajit.

“Nuk morëm vendim për zgjedhje të parakohshme apo procedura për të kthyer mandatin, por të vazhdojmë me atë që ka qenë ideja fillestare, rikonstruktimi i qeverisë. Jo më shumë se tetë ministra që do të ndryshohen, por do të zëvendësohen edhe 20 drejtorë të institucioneve publike.” – theksoi Kryeministri Zoran Zaev.

Në mbledhjen e Kryesisë Qendrore të LSDM-së është marrë vendimi që të vazhdohet me politikën e integrimit euroatlantik, kurse kjo thuhet se ka qenë në bashkërendim edhe me faktorin ndërkombëtar në Maqedoninë e Veriut, të cilët janë kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat do të frenonin vendin në rrugën e saj të reformave. /Klan Maqedoni/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!